Mozzik i bashkohet “Marshit për Liri”, nga Tirana shpërndan mesazhin “Kosova po pret”
Reperi kosovar Mozzik ka shprehur mbështetjen për “Marshin për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, nën moton “Kosova po pret”.
Nga Tirana, Mozzik ka publikuar pamje të një billboard-i ku është vendosur mesazhi “KOSOVA PO PRET – MARSH PËR LIRI – LIRIA KA EMËR”, duke bërë të ditur se edhe ai do t’i bashkohet marshit.
“Marshi për Liri” organizohet nga platforma qytetare “Liria ka Emër” dhe synon të mbledhë qytetarë nga Kosova dhe më gjerë në mbështetje të ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.
Marshi do të zhvillohet më 12 shtator në Prishtinë, katër ditë para 16 shtatorit, kur pritet të shpallet vendimi i Dhomave të Specializuara në procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Në kuadër të fushatës “Kosova po pret”, mesazhi për marshin tashmë është shtrirë edhe jashtë Kosovës. Ditë më parë, njoftimet për aktivitetin janë shfaqur në ekrane të vendosura në kryqëzime të Tiranës.



