Një ‘makinë e re e zbulimeve’ e NASA-s po lëshohet për ta zbërthyer universin e padukshëm
Një observator masiv, të cilin shkencëtarët e kanë quajtur “makinë zbulimesh”, pritet të lëshohet drejt kozmosit, duke nisur një udhëtim që mund të shënojë një ndryshim të rëndësishëm në të kuptuarit tonë të universit, shkruan CNN.
I projektuar për të kërkuar objekte hapësinore të padukshme dhe të zbehta, teleskopi hapësinor Nancy Grace Roman i NASA-s pritet të ngrihet në bordin e një rakete SpaceX Falcon Heavy, të dielën, nga Qendra Hapësinore Kennedy në Florida.
Gjatë pesë viteve të ardhshme, vëzhgimet e teleskopit me madhësinë e një autobusi mund të zbulojnë përgjigje për mistere të kahershme, si energjia e errët, e cila nxit zgjerimin e përshpejtuar dhe të pashpjegueshëm të universit, dhe materia e errët, e cila i jep kozmosit strukturë, por mbetet e padukshme. Ai mund t’u mundësojë astronomëve të dallojnë galaktika dhe ekzoplanete të panjohura më parë, botë që ndodhen rreth yjeve përtej sistemit tonë diellor, si dhe planetë endacakë që nuk rrotullohen fare rreth yjeve.
“Roman do t’i japë Tokës një atlas të ri të universit”, tha administratori i NASA-s, Jared Isaacman, ndërsa agjencia hapësinore prezantoi teleskopin e përfunduar më 21 prill në Qendrën e Fluturimeve Hapësinore Goddard në Maryland.
Me aftësi vrojtimi më shumë se 1.000 herë më të shpejta se teleskopi hapësinor Hubble, Roman do të realizojë vëzhgime shkencore thelbësisht të ndryshme, të cilat nuk mund të kryhen as me Hubble dhe as me teleskopin hapësinor James Webb.
“Së bashku, këto tri misione do ta plotësojnë njëri-tjetrin, duke na dhënë një pamje më të plotë të kozmosit dhe duke avancuar të kuptuarit tonë për universin”, tha Dr. Nicky Fox, zëvendësadministratore e Drejtorisë së Misioneve Shkencore të NASA-s.
Pas lëshimit, Romanit do t’i duhen rreth tre muaj për të arritur pozicionin e tij orbital, rreth1,6 milionë kilometra larg Tokës.
Ndërkohë, observatori do t’i nënshtrohet fazës së vënies në funksion — duke testuar instrumentet e tij në hapësirë dhe duke vendosur antenën që do të transmetojë imazhet masive të Romanit drejt Tokës.
Teleskopi pritet të transmetojë një terabajt të dhënash në ditë — njësoj sikur të transmetoheshin 1 milion këngë nga 1 milion milje larg drejt Tokës, tha Jeremy Perkins, shkencëtar për integrimin dhe testimin e teleskopit Roman në Goddard.
Teleskopi, me një kosto të vlerësuar prej 4,3 miliardë dollarësh, është zhvilluar për rreth një dekadë dhe u bë prioritet për komunitetin shkencor rreth 16 vjet më parë. Shkencëtarët në mbarë botën po presin me padurim njohuritë e paprecedenta që mund të ofrojë Roman.
“Kur zhvillon një mjet që është rrënjësisht i ndryshëm nga çdo gjë që ke pasur më parë, do të zbulosh gjëra që nuk e dije se ekzistonin”, tha Dominic Benford, shkencëtar i programit Roman në NASA, i cili ka qenë i përfshirë në projekte të lidhura me këtë koncept për më shumë se 20 vjet.
“Një pjesë e arsyes pse Roman shërben si një makinë zbulimesh është t’u japë njerëzve një mënyrë për t’i bërë universit pyetje që ende nuk kemi arritur t’i konceptojmë”.



