Haxhiu mirëpret marrëveshjen LV-LDK për kandidatin për president
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka mirëpritur marrëveshjen e arritur mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për kandidatin për president.
Përmes një postimi në “Facebook”, Haxhiu ka deklaruar se dakordimi mes dy partive përbën një hap të rëndësishëm drejt tejkalimit të ngërçit politik dhe funksionalizimit të plotë të institucioneve.
“E mirëpres marrëveshjen e arritur sot ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për kandidatin për President të Republikës. Dakordimi i sotëm është një hap shumë i rëndësishëm drejt tejkalimit të ngërçit dhe funksionalizimit të plotë të institucioneve”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka theksuar se tani është e rëndësishme që procesi të përmbyllet në Kuvend, me përgjegjësinë që kërkon momenti dhe në funksion të interesit të Republikës.



