Haga dhe formimi i institucioneve të Kosovës
Lulëzim ETEMAJ
Edhe pse zgjedhjet e parakohshme u mbajtën më 7 qershor, Kosova ende nuk i ka formuar institucionet e reja shtetërore.
Pas Kuvendit, LDK kishte njoftuar në fund të korrikut se është hequr pezullimi i bisedimeve me VV-në për formimin e institucioneve të ardhshme të shtetit. Vetë ky zhvillim tregon se, pavarësisht deklaratave të mëhershme dhe vijave të kuqe, dinamika politike e këtyre dy partive vazhdon të diktohet më shumë nga rrethanat strategjike sesa nga retorika publike.
Edhe pse LDK ka qenë disa herë në koalicione me PDK-në, ato bashkëpunime kanë qenë kryesisht produkt i logjikës së PDK-së mbi ndërtimin e institucioneve, në njërën anë, dhe, në anën tjetër, i kulturës tradicionale institucionaliste të klasës së vjetër politike LDK-së, e jo domosdoshmërisht rezultat i tejkalimit të dallimeve të thella politike e historike ndërmjet këtyre dy subjekteve. Në këtë kuptim, afrimi i mundshëm ndërmjet LDK-së dhe Vetëvendosjes mund të lexohet si zhvillim që mbështetet mbi interesa të përbashkëta politike në raport me PDK-në, pasardhësen politike të UÇK-së, të cilat derivojnë në fakt nga raporti i tyre me UÇK-në dhe nga një lexim final prej tyre të rrethanave në të cilat ndodhet vendi.
Në këtë funksion duhet parë edhe rolin e Presidentit të ardhshëm “konsensual” të VV-së dhe LDK-së.
Nëse një koalicion i tillë materializohet, ai do t’u japë më shumë peshë interpretimeve se kriza institucionale që ka shoqëruar Kosovën që nga fillimi i vitit të kaluar nuk është thjesht pasojë e mosmarrëveshjeve për ndarjen e pushtetit, por lidhet parasëgjithash me zhvillimet politike e juridike dhe të sigurisë që burojnë nga përfundimi i procesit gjyqësor ndaj katër krerëve të UÇK-së; Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, në Dhomat e Specializuara në Hagë. Sipas këtij këndvështrimi, vonesat e deritanishme në krijimin e institucioneve nuk ishin vetëm shprehje e polarizimit të zakonshëm politik, por pjesë e një pritjeje strategjike të VV-së dhe LDK-së për të parë ndikimin që mund të ketë vendimi përfundimtar i gjykatës në ekuilibrat e brendshëm politikë.
Nga kjo perspektivë, institucionet e ardhshme nuk do të përballen vetëm me sfidat e zakonshme të qeverisjes, si ekonominë, dialogun me Serbinë, integrimin evropian apo reformën në drejtësi, por edhe me menaxhimin e pasojave politike, shoqërore dhe psikologjike të vendimeve që do të dalin nga Haga. Çfarëdo qoftë epilogu i procesit, ai pritet të ketë ndikim në raportet ndërmjet partive politike, në perceptimin publik për luftën çlirimtare dhe në konfigurimin e skenës politike për vitet në vijim.
Në rast të një vendimi lirues për ish-krerët e UÇK-së, mund të argumentohet se qeverisja me mandat të plotë katërvjeçar do t’u krijonte partive në pushtet hapësirë dhe kushte për ta konsoliduar pozicionin e tyre dhe për të zbehur gradualisht ndikimin politik në radhë të parë të Thaçit dhe Veselit që mund të rikthehen në PDK dhe në jetën publike. Një periudhë e gjatë pa zgjedhje do të mund të ndryshonte raportet elektorale dhe të zvogëlonte mundësinë që PDK-ja të rikthehej shpejt si forca kryesore politike.
Nga ana tjetër, në rast të një vendimi dënues, sfida kryesore e institucioneve do të ishte ruajtja e stabilitetit politik dhe e kohezionit shoqëror. LVV duket se e ka vlerësuar se menaxhimi edhe i një situate të tillë të mundshme, kërkon një bazë më të gjerë politike. Një vendim i tillë do të kishte potencial të prodhonte reagime të forta emocionale në një pjesë të madhe të opinionit publik, veçanërisht te veteranët e luftës, familjet e dëshmorëve dhe ata që, edhe duke mos qenë në radhët e PDK-së dhe Aleancës, e konsiderojnë luftën e UÇK-së si themelin moral dhe politik të çlirimit dhe bërjes së shtetit të Kosovës.
Pikërisht këtu qëndron edhe dilema më e madhe politike. LDK-ja dhe Vetëvendosja kanë ndërtuar një pjesë të rëndësishme të identitetit të tyre politik duke goditur krerët e UÇK-së, jo vetëm ata që gjenden në Hagë, sado që herë pas here, ndonnjë nga zyrtarët e tyre për qëllime elektorale, kanë shprehur respekt për luftën çlirimtare dhe duke kërkuar mbrojtjen e vlerave të saj. Për pasojë, nëse këto dy subjekte do të ishin në qeveri në momentin e shpalljes së një vendimi dënues, do të përballeshin me përgjegjësinë e dyfishtë: nga njëra anë të garantonin rendin kushtetues dhe funksionimin normal të institucioneve, ndërsa nga ana tjetër të ruanin besueshmërinë e tyre para elektoratit dhe grupeve shoqërore që janë të lidhura me trashëgiminë e luftës.
Në fund, pavarësisht nëse interpretimi se zhvillimet politike diktohen nga procesi në Hagë rezulton i saktë apo jo, mbetet e qartë se vendimet e Dhomave të Specializuara do të kenë ndikim përtej aspektit juridik. Ato do të ndikojnë në narrativën historike, në balancat politike, në raportet ndërmjet partive dhe në mënyrën se si shoqëri do ta ndërtojmë kujtesën kolektive për luftën dhe shtetformimin. Për këtë arsye, qeveria që do të marrë përgjegjësinë në këtë periudhë do të gjykohet jo vetëm për mënyrën se si administron pushtetin, por edhe për mënyrën se si menaxhon një nga momentet më delikate politike dhe historike të Kosovës pas shpalljes së pavarësisë.



