Latifi: Solidariteti institucional nuk dëshmohet vetëm me vizita në terren dhe deklarata politike e publike

01 shtator 2026 | 12:13

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, gjatë protestës së sotme të komunave para Qeverisë së Kosovës, ka kërkuar krijimin e një mekanizmi të përhershëm për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore.

Latifi ka deklaruar se qytetarët e Rahovecit dhe të komunave të tjera janë përballur me dëme të mëdha në shtëpi, biznese, toka bujqësore dhe prona si pasojë e vërshimeve dhe fatkeqësive të tjera natyrore.

“Sot po flas para jush jo vetëm si anëtar i bordit të Asociacionit të Komunave të Republikës së Kosovës, por edhe si kryetar i një komune, i njërës prej komunave që është përballur drejtpërdrejt me pasojat e vërshimeve”, ka thënë Latifi.

Ai ka theksuar se fermerëve u janë dëmtuar tokat dhe kulturat bujqësore, familjeve shtëpitë dhe pasuritë, ndërsa bizneset kanë pësuar humbje dhe infrastruktura komunale ka pësuar dëme serioze.

Sipas Latifit, në raste të tilla komuna është institucioni i parë që del në terren dhe mobilizon të gjitha kapacitetet në dispozicion.

“Ajo mobilizon ekipet emergjente, hap rrugët, largon ujin dhe mbeturinat, ndihmon familjet, evidenton dëmet dhe angazhon të gjitha kapacitetet që ka në dispozicion”, ka deklaruar ai.

Megjithatë, Latifi ka thënë se mundësitë financiare të komunave janë të kufizuara dhe ato nuk mund t’i kompensojnë dëmet e mëdha të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore.

Ai ka shpjeguar se pas vlerësimit të dëmeve nga komisionet komunale, raportet dhe kërkesat i dërgohen nivelit qendror, ku më pas përgjegjësia për vendimmarrjen dhe sigurimin e mjeteve kalon te Qeveria.

Latifi ka deklaruar se shumë qytetarë, fermerë, biznese dhe komuna ende nuk janë kompensuar për dëmet e pësuara.

“Ka raste të dëmeve të evidentuara që nga viti 2022, të cilat vazhdojnë të mbesin pa u kompensuar”, ka thënë ai.

Sipas tij, kjo pritje është e padrejtë për qytetarët e prekur.

“Fermeri që humb prodhimin e një viti nuk mund të presë pafundësisht. Familja, së cilës i është dëmtuar shtëpia, nuk mund të jetojë me premtime. Biznesi që ka pësuar humbje nuk mund të vazhdojë punën pa mbështetje”, ka deklaruar Latifi.

Për këtë arsye, ai ka kërkuar nga Qeveria krijimin e një mekanizmi të qartë, të drejtë dhe të përhershëm për kompensimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore.

“Kërkojmë që raportet e dorëzuara nga komunat të trajtohen menjëherë dhe të kompensohen qytetarët, fermerët, bizneset dhe infrastruktura komunale”, ka thënë Latifi.

Ai ka kritikuar edhe mënyrën e trajtimit të komunave sa i përket grantit të performancës komunale.

“Solidariteti institucional nuk dëshmohet vetëm me vizita në terren dhe deklarata politike e publike. Ai dëshmohet me vendime, me mjete financiare dhe me ndihmë konkrete për njerëzit e prekur”, ka deklaruar Latifi.

Sipas tij, granti i performancës komunale është një tjetër shembull i trajtimit të padrejtë ndaj komunave.

Ai ka thënë se në Ligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026 janë planifikuar 8 milionë euro nga buxheti i shtetit për këtë grant, ndërsa komunave fituese u janë shpërndarë vetëm 2 milionë euro nga pjesa e financimit shtetëror.

“Pra, mungojnë 6 milionë euro të miratuara me ligj”, ka deklaruar Latifi.

Ai ka theksuar se këto mjete nuk janë shpërblim publik dhe as favor i një ministrie, por mjete të përcaktuara me ligjin e buxhetit dhe që, sipas tij, u takojnë komunave që i kanë plotësuar kriteret.

Latifi ka thënë se komunat kanë investuar kohë, staf dhe burime për përmirësimin e shërbimeve dhe për përmbushjen e treguesve të performancës.

“Pas shpalljes së rezultateve, ato kanë planifikuar projekte konkrete për qytetarët”, ka thënë ai.

Në fund, Latifi ka deklaruar se ndryshimi i shumës së grantit pas përfundimit të procesit cenon sigurinë juridike dhe besimin institucional.

“Ndryshimi i shumës pas përfundimit të procesit cenon sigurinë juridike, besimin institucional dhe vetë qëllimin e skemës së performancës”, ka përfunduar Latifi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka kritikuar qeverinë…