Rama: Duhet t’i mbrojmë komunat nga qeveria jonë! Çfarë marre dhe paradoksi!
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka kritikuar qeverinë Kurti gjatë protestës së komunave të mbajtur para objektit të Qeverisë, duke e akuzuar për bllokim dhe ndëshkim të komunave që nuk udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje.
Rama e ka nisur deklaratën duke bërë një krahasim me vitet e ’90-ta, kur, sipas tij, shqiptarët e Kosovës e zhvillonin mësimin nëpër shtëpi pas mbylljes së shkollave nga Serbia.
“Sot është 1 Shtatori. Në vitet e ’90-ta, kur Serbia na i mbylli shkollat, ne nisëm mësimin nëpër shtëpi. Kishim ditar, krijuam sistem, sepse edhe atëherë, nën okupim, e dinim se shteti ndërtohet duke i mbajtur institucionet gjallë”, ka deklaruar Rama.
Ai ka thënë se sot nxënësit po e fillojnë vitin shkollor pa ditarë, duke e lidhur këtë situatë me, siç e ka quajtur ai, keqmenaxhimin institucional.
“Në Kosovë sot, nxënësit po e fillojnë vitin shkollor pa ditarë. Sot, pas gjithë sakrificës për ta ndërtuar këtë shtet, problemi ynë nuk është se nuk kemi institucione. Problemi është se Albin Kurti po i përdor institucionet për me blloku edhe ndëshku qytetarët”, ka thënë ai.
Rama ka kritikuar gjendjen financiare të komunave, duke pretenduar se ato që nuk udhëhiqen nga LV-ja po përballen me bllokime të buxhetit dhe të hyrave vetanake.
“Aty ku Vetëvendosja nuk fitoi, qeveria po e bllokon buxhetin e investimeve, po bllokohen të hyrat vetanake, po merren nga buxhetet komunale mjetet për kontrata për të cilat komunat as nuk i kanë bërë, nuk janë bërë pjesë e procesit vendimmarrës”, ka deklaruar Rama.
Sipas tij, pasojat e këtyre problemeve nuk i bartin kryetarët e komunave, por qytetarët.
“Edhe kush po e paguan këtë çmim? Nuk po e paguajmë ne kryetarët, po e paguani ju, qytetarë të nderuar. Pas gjithë sakrificës këtij populli, pas luftës, pas njerëzve që dhanë jetën, pas punës së brezave të tërë për me i krijuar institucionet tona, sot kemi ardhur në një pikë ku duhet me i mbrojtur komunat nga njerëzit që udhëheqin këtë institucion”.
“Paramendoni ku kemi ardhur sot! Katastrofale kjo! Duhet me i mbrojtur komunat nga qeveria jonë. Çfarë marre! Çfarë paradoksi?”, ka deklaruar Rama.
Më tutje, kryetari i Prishtinës ka kritikuar edhe disa prej zyrtarëve të institucioneve qendrore, duke përmendur të kaluarën e tyre politike dhe përplasjet e mëhershme me institucionet e shtetit.
“Shikojeni kush i udhëheq këto institucione. Këto institucione sot po i udhëheqin njerëzit që dikur i kanë djegur e i kanë sulmuar me tulla e me gaz lotësjellës pikërisht këto institucione”, ka thënë Rama.
Ai ka përmendur edhe ministrin përgjegjës për sigurinë, duke pretenduar se ai po gjykohet për cenim të sigurisë.
“Fatkeqësia edhe më e madhe është që sot ministri përgjegjës për sigurinë gjykohet për cenim të sigurisë. Ministri që sot e udhëheq policinë, dikur e ka sulmuar fizikisht policinë tonë, e ka rrezikuar jetën e tyre duke i sulmuar. Paramendoni çfarë paradoksi!”, ka deklaruar ai.
Rama ka kritikuar edhe ministren përgjegjëse për diplomacinë, duke iu referuar një rasti gjyqësor që, sipas tij, lidhet me sulm ndaj institucioneve.“Fatkeqësia është që ministrja që duhet me përfaqësu diplomacinë e Kosovës sot akuzohet pikërisht me sulmin ndaj institucioneve që sot ajo vetë i përfaqëson. Paramendoni kush na përfaqëson!”, ka thënë Rama.
Në fund, ai ka kritikuar edhe kryetaren e Kuvendit, duke iu referuar akuzave publike për futjen e gazit lotsjellës në institucion.
“Fatkeqësia tjetër është që kryetarja e Kuvendit, e cila duhet të jetë shembulli më i lartë i respektit dhe integritetit institucional, është akuzuar publikisht se ka kontrabanduar gaz lotësjellës brenda këtyre institucioneve të Kosovës, duke i rrezikuar të gjithë njerëzit brenda tyre e duke i dëmtuar institucionet e shtetit tonë”, ka deklaruar Rama.
Ai ka theksuar se Kuvendi i Kosovës është institucion për të cilin, sipas tij, është derdhur gjak.
“Dhe për më tepër, për ta udhëhequr Kuvendin e Republikës së Kosovës, për të cilin në këtë shesh është derdhur gjak”, ka përfunduar Rama.



