Gecaj alarmon LDK-në: Po ia falim Kurtit edhe katër vjet, partia po shkon drejt humnerës

01 shtator 2026 | 12:39

Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Bajram Gecaj, ka reaguar ashpër pas marrëveshjes së arritur mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të Kosovës.

Gecaj, përmes një postimi në “Facebook”, ka shprehur shqetësimin se kjo marrëveshje mund ta dëmtojë më tej LDK-në dhe ka paralajmëruar se partia rrezikon të humbasë identitetin e saj politik.

Sipas tij, kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i duhet një fajtor para zgjedhjeve të 27 dhjetorit dhe, sipas Gecajt, ai fajtor është gjetur te LDK-ja.

“E kam thënë dhe vazhdoj ta besoj fuqishëm se Kurti i do zgjedhjet më 27 dhjetor. Por para zgjedhjeve i duhet një fajtor. Dhe fajtorin e ka gjetë tek LDK-ja”, ka shkruar Gecaj.

Ai ka kritikuar edhe zhvillimet brenda LDK-së, duke thënë se rreziku nuk vjen vetëm nga kundërshtarët politikë, por edhe nga përçarjet dhe mungesa e hapësirës për mendim ndryshe brenda partisë.

“Një parti nuk vdes kur humb vota. Vdes kur humb shpirtin. Kur mendimi ndryshe shpallet pengesë, kur kritika trajtohet si armiqësi dhe kur synimi bëhet jo një parti e madhe, por një parti e bindur”, ka shkruar ai.

Gecaj ka kujtuar edhe mbështetjen e mëparshme të LDK-së për zgjedhjen e presidentes, duke thënë se në atë kohë e kishte arsyetuar vendimin me nevojën që partia të fitonte kohë për konsolidim dhe për një përballje të ardhshme politike me Kurtin.

“Kur ia dha votën për presidente personit që e kishte dëmtuar partinë në përmasa të jashtëzakonshme, e arsyetova. Besoja se LDK-së i duhej kohë për t’u konsoliduar dhe për t’u përgatitur për përballjen vendimtare me Kurtin. Por koha kaloi. Përballja nuk erdhi. Konsolidimi nuk ndodhi. Përkundrazi, u dobësuam edhe më shumë”, ka shkruar Gecaj.

Ai ka paralajmëruar se marrëveshja e fundit mund t’i mundësojë Kurtit edhe një mandat tjetër qeverisës, pa përfitime politike për LDK-në.

“E tani po rrezikojmë t’i japim Kurtit edhe katër vite të tjera, pa asnjë balancë politike, pa fituar bash asgjë për LDK-në dhe me një hiq të madh për Kosovën”, ka shkruar ai.

Sipas Gecajt, katër vite të tjera mund të jenë të mjaftueshme që një parti historike të dobësohet edhe më tej dhe të humbasë identitetin e saj.

“Katër vite janë shumë. Mjaftojnë që një parti historike të reduktohet në një logo, një zyrë dhe disa njerëz rreth një tavoline. Mjaftojnë që LDK-ja të mbetet vetëm emri i asaj që dikur ishte”, ka shkruar ai.

Gecaj ka thënë se heshtja në një situatë të tillë nuk duhet të konsiderohet lojalitet, ndërsa ka bërë të ditur se nuk dëshiron të qëndrojë indiferent ndaj zhvillimeve në partinë ku, sipas tij, ka kontribuar për 37 vjet.

“Zgjedhjet humben dhe fitohen, por partitë historike, kur humbin shpirtin, nuk rikthehen lehtë”, ka shkruar Gecaj.

Ai ka sqaruar se kandidati për president, Bekim Sejdiu, nuk është objektivi i kritikave të tij.

“Bekim Sejdiu është vetëm viktimë e rastit në këtë debat. Për të kam respekt të veçantë”, shkruar Gecaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-futbollisti spanjoll, Alvaro Gonzalez ka treguar përvojën e tij duke…