Novartis pezullon provat klinike pas vdekjes së tre pacientëve

02 shtator 2026 | 08:16

Gjiganti zviceran i industrisë farmaceutike Novartis ka pezulluar disa prova klinike për terapi eksperimentale me qeliza pas vdekjes së tre pacientëve.

Novartis ka pezulluar në fund të gushtit disa prova klinike që përfshijnë terapi eksperimentale me qeliza për trajtimin e sëmundjeve autoimune në fushat e imunologjisë dhe neuroshkencës.

Kompania farmaceutike me seli në Bazel e konfirmoi lajmin për agjencinë zvicerane të lajmeve AWP, pasi raportimi ishte publikuar fillimisht nga gazeta amerikane The Wall Street Journal.

Sipas Novartis, vendimi për pezullimin e programeve lidhet me raportimin e tre rasteve të sindromës hemofagocitike të lidhur me qelizat efektore imune, komplikime të cilat rezultuan fatale.

Terapia eksperimentale, e njohur si rapcabtagene autoleucel (rap-cel), bazohet në teknologjinë CAR-T. Kjo metodë përfshin modifikimin gjenetik të qelizave të bardha të gjakut të pacientit, me qëllim që ato të identifikojnë dhe shkatërrojnë qeliza të dëmtuara.

Reagimet e rënda të sistemit imunitar janë një rrezik i njohur i terapive të këtij lloji. Sipas The Wall Street Journal, edhe kompania amerikane Bristol-Myers Squibb kishte pezulluar më herët prova të ngjashme, si masë paraprake.

Novartis theksoi, megjithatë, se pezullimi nuk prek në asnjë mënyrë programin e rap-cel për trajtimin e sëmundjeve onkologjike.

Kompania tha se aktualisht po shqyrton me kujdes të dhënat e reja për të përcaktuar hapat e mëtejshëm lidhur me programet e prekura.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një javë pas përmbytjeve katastrofike në Nepal, të cilat kanë…