29 shtete amerikane akuzojnë Meta-n se ka krijuar varësi te fëmijët

02 shtator 2026 | 08:36

Meta Platforms, kompania që kontrollon rrjetet sociale Facebook dhe Instagram, po përballet me një proces gjyqësor të paprecedentë të ngritur nga një koalicion dypartiak i 29 shteteve amerikane.

Kompania akuzohet se ka projektuar qëllimisht platformat e saj për të krijuar varësi te fëmijët dhe adoleshentët.

Sipas shteteve paditëse, Meta ka vendosur fitimin mbi shëndetin mendor të përdoruesve të rinj, duke shfrytëzuar dobësitë psikologjike të të miturve dhe duke kontribuar në rritjen e ankthit, depresionit dhe, në raste ekstreme, mendimeve vetëvrasëse.

Gjatë deklaratave hapëse të procesit, zëvendësprokurorja e përgjithshme e Kalifornisë, Megan O’Neill, e përmblodhi modelin e biznesit të kompanisë me katër fjalë: “hook” (të tërheqë), “hold” (të mbajë), “harvest” (të mbledhë të dhëna) dhe “hide” (të fshehë të vërtetën).

Padia, e udhëhequr nga Kalifornia, Kolorado, Kentaki dhe Nju Xhersi, përfshin edhe akuza për shkelje të ligjeve federale për privatësinë. Meta dyshohet se ka mbledhur dhe përdorur në mënyrë të papërshtatshme të dhënat personale të fëmijëve nën 13 vjeç, pa pëlqimin e prindërve.

Prokurori i përgjithshëm i Kentakit, Russell Coleman, e ka krahasuar betejën ligjore me proceset e viteve ’90 kundër kompanive të duhanit dhe më vonë kundër prodhuesve të opioideve

“E bëmë atëherë, do ta bëjmë përsëri me Meta-n”, tha Coleman

Në qendër të procesit është edhe pasoja e mundshme financiare për kompaninë. Shtetet paditëse kërkojnë gjoba civile që mund të arrijnë deri në 200 miliardë dollarë, një shumë e barabartë me rreth tre vite fitime neto të Meta-s.

Në disa dokumente të depozituara në gjykatë, Meta ka argumentuar se gjobat teorike mund të arrinin deri në 1.400 miliardë dollarë.

Megjithatë, gjyqtarja Yvonne Gonzalez Rogers e ka cilësuar këtë vlerësim si “të paarsyeshëm”.

Procesi pritet të ketë pasoja të rëndësishme për mënyrën se si platformat e mëdha të mediave sociale hartojnë produktet e tyre dhe trajtojnë përdoruesit e mitur.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokuroria Themelore në Prizren, të martën njoftoi se ka zgjeruar…