Putini i quan masat gjermane “gabim i rëndë”
Presidenti Putin i cilësoi masat ndëshkuese gjermane si një “gabim të rëndë”. Pas tentativës për sulm me dron në aeroportin Leipzig/Halle, qeveria federale gjermane po ashpërson kursin e saj ndaj Rusisë.
Qeveria gjermane bën Rusinë përgjegjëse për tentativën për sulm me dron në aeroportin Leipzig/Halle dhe ka paralajmëruar masa ndëshkuese. Presidenti rus Vladimir Putin e quajti këtë një “gabim të rëndë”. “Sipas mendimit tim, kjo bie qartazi ndesh me interesat e popullit gjerman”, tha kreu i Kremlinit gjatë një konference për shtyp të transmetuar nga agjencia ruse e lajmeve Tass. Sipas tij, reagimi i qeverisë gjermane lidhet me “fushatat zgjedhore që po afrohen”.
Sipas ministrit federal të Brendshëm, Alexander Dobrindt, hetimet policore, mënyra e kryerjes së sulmit dhe të dhënat e shërbimeve të inteligjencës dëshmojnë për përgjegjësinë e Rusisë.
Pas tentativës për sulm me një dron të ngarkuar me eksploziv në aeroportin Leipzig/Halle, qeveria federale gjermane po ashpërson kursin e saj ndaj Rusisë: Konsullata e Përgjithshme e Rusisë në Bon pritet të mbyllet, ndërsa kontrollet për hyrjen në Gjermani do të ashpërsohen.
Putini flet për sukses në Ukrainë
Putini u shpreh në konferencën për shtyp Bishkek edhe për luftën në Ukrainë. Sipas tij, trupat ruse po avancojnë gjithnjë e më shpejt. Në rajonin e Donjeckut, ushtarët rusë janë afruar deri në vetëm pak kilometra nga qytetet Slovjansk, Kramatorsk dhe Druzhkivka, pretendoi ai përpara përfaqësuesve të mediave shtetërore në kryeqytetin e Kirgistanit, Bishkek.
Ai tha gjithashtu se forcat ruse kanë shënuar suksese edhe në rajonin e Zaporizhjës, si dhe në verilindje të Ukrainës, pranë Sumyt. Sipas Putinit, Rusia po e fiton luftën dhe për këtë arsye nuk do të zhvillojë negociata me udhëheqjen aktuale të Ukrainës. Në këtë kontekst, ai i quajti ata “terroristë”.
Në të njëjtën kohë, ai pranoi se disa sulme ukrainase ndaj objektivave në territorin rus kanë qenë të suksesshme. Edhe sulmet ndaj anijeve ruse, sipas tij, kanë qenë efektive, por nuk kanë shkaktuar dëme kritike.
Megjithatë, paraqitja e Putinit për sukseset ushtarake bie ndesh me vlerësimet e vëzhguesve ukrainas dhe perëndimorë. Këta të fundit kanë konstatuar kohët e fundit një ngadalësim të avancimit rus. Në shumë segmente të frontit pothuajse nuk ka pasur ndryshime, ndërsa në disa zona, forcat ukrainase madje kanë rimarrë territore të vogla në lindje të rajonit të Donjeckut, pranë Lymanit, si dhe në jug të Ukrainës./DW



