AKK-ja: Mësimi ka filluar, Ministria ende jo!
Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), bazuar në informatat e adresuara nga drejtorët komunalë të arsimit, ka shprehur shqetësimin për, siç ka thënë, problemet me të cilat ka filluar viti i ri shkollor.
Sipas njoftimit të AKK-së, shkollave u mungon dokumentacioni i nevojshëm shkollor dhe kurrikular, ndërsa një numër i madh i nxënësve e kanë filluar mësimin pa tekstet shkollore.
Po ashtu, sipas raportimeve të prindërve, ka raste kur mjetet për blerjen e teksteve ende nuk janë transferuar.
“Këto janë çështje që Ministria e Arsimit është dashur t’i përfundojë para fillimit të vitit shkollor, jo pasi mësimi ka filluar”, ka njoftuar AKK-ja.
AKK-ja ka kërkuar nga Ministria që urgjentisht të përmbushë obligimet e saj dhe të mos ua bartë komunave, shkollave, mësimdhënësve dhe prindërve pasojat e vonesave të nivelit qendror.
“Nxënësit duhet t’i kenë librat dhe shkollat dokumentacionin që në ditën e parë. Arsimi nuk improvizohet!” , është thënë në këtë njoftim.



