Poezi nga Alessandro Manzoni
Pesë maji
për N. Buonapartin
Ai s’është më. Ashtu i palëvizur,
pasi grahmën e vdekjes pat frymuar,
trupi i mbeti pa jetë, pa kujtesë,
me të lartin shpirt shtegtuar;
Po kështu e trallisur, e çuditur,
toka ballë lajmit rri,
e heshtazi i kujton atij burri
të mbramen orë mortore,
pa menduar se kur një e ngjashme
gjurmë e këmbës njerëzore,
të përgjakurin pluhur të saj
për ta shkelur do të vi.
Ai vetëtinte mbi fron
E kundroi arti im e heshti;
Se dhe kur me zellin armiqësor,
Ra, u ringjit, e rreshti,
me mijëra zërat e rrëmujshëm
ai zënë e vet s’e pat trazuar;
Po i papërlyer lavdeve lajkatare,
E nga më burracaku poshtërimi,
tash çohet i mallëngjyer për humbjen
e shpejtë të gjithë atij vezullimi,
E mbi varr i shkrehet në një himn
që përjetë ka për t’u kënduar.
Nga Alpet tek Piramidat,
Nga Manzanari në Rin,
prej të paepurit një vetëtimë
që linte pas një përshkëndimë,
prej Shillës në Tanai shpërtheu,
e nga deti në det, aq gjatë.
Vallë qe lavdi e vërtetë?
Për brezat vendim i vështirë:
Po ne ballet Zotit ia përulim
që tek Ai deshi me aq dëshirë
shpirtit të tij krijues
më t’paanën gjurmë t’i japë.
Të torturuarin e t’ethshmin
gëzim të një fati të shënjuar,
Ankthin e një zemre që rebele
shërbente, fronin duke ëndërruar,
të atij që arriti e fitoi çmimin
e shpresës më të marrë;
Gjithçka ai provoi: Lavdinë,
më të madhe pas kërcënimit,
fitoren dhe arratinë**,
fronin dhe trishtinë e mërgimit;
Dy herë në pluhur dergjur,
dy herë ngritur në altar:
E u vetë-emërua: t’armatosur,
dy shekuj ndaj njëri tjetrit ngritur,
Të nënshtruar para tij ranë
si t’ishin fatin prej tij duke pritur,
E ai u dha qetësinë, e si gjykatës
mes tyre u shtrua.
E u zhduk: në të voglin ishull
ditët mbylli gjithë kotësi,
shenjë e një mëshire të thellë,
e një të pamase zili,
e një dashurie të pazbutur,
dh’e një urrejtje që kurrë s’u shua.
Si mbi kryet e të përmbyturit
dallga pështillet e rëndon,
dallga prej ku fatkeqi,
kur ashtu i nderë qëndron,
shikimin hedh për të shquar
më kot brigjet e largëta;
Po kështu në shpirt të tij
pirgu i lartë i kujtimeve rëndoi!
Oh sa herë brezave bëmat
e veta t’ua tregonte kërkoi,
e mbi të përjetshmet faqe,
sa e lodhur dora ra!
Oh sa herë në perëndimin
e heshtur të ditës së plogtuar,
me sytë shkrepëtitës përtokë,
me krahët gjoksit shtrënguar,
qëndroi, e ditëve të shkuara
ua ringjalli atë kujtim!
E solli ndërmend të tendave
shtegti, e të luginave shungëllim,
e flakëritjen e armëve,
e të kuajve rrapëllim,
e të prerin urdhër,
e të bindurin ekzekutim.
Ahi! Ndoshta shpirti i gulçuar
ra pas të përzgjaturit mundim,
e u pikëllua; po prej qiellit
një dorë i erdhi si shpëtim,
e drejt një ajri më të kulluar
mëshirshëm e drejtoi;
E shpurri në të shpresës
shtigje të lulëzuar,
fushave të përjetshme, me
çmimin e lumturisë së bekuar,
ku është heshtje dhe errësirë
lavdia që ai jetoi.
Bukuri e pavdekshme! I bekuari
besim triumfeve mësuar!
Shkruaje dhe këtë, gëzohu!
Se shkëlqesi më të krenuar
çnderimi i Golgotës
kurrë s’nënshtroi.
Ti prej hirit të tallazuar
shpërndaji çdo fjalë që e sëmbon:
Se zoti që plandos e ringjall,
që të zë frymën e të këshillon,
ish ai që shtratit të vetmuar
pranë i qëndroi.
Përktheu: Dritan Thomollari



