Turqia dënon ashpër glorifikimin e Ratko Mlladiqit

08 shtator 2026 | 16:37

Turqia ka reaguar ashpër ndaj ceremonisë mortore të Ratko Mlladiqit, duke e cilësuar të papranueshme çdo përpjekje për të mohuar apo minimizuar krimet e kryera gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.

Në një deklaratë të zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme turke, Oncu Keçeli, është thënë se shfrytëzimi i ceremonisë së varrimit të Mlladiqit për të mohuar krimet e rënda të dokumentuara dhe vuajtjet e viktimave është i papranueshëm.

Mlladiqi, ish-komandant i forcave serbe të Bosnjës, është dënuar përfundimisht nga tribunalet ndërkombëtare për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

“Refuzimi i këtyre vendimeve gjyqësore apo çdo përpjekje për të glorifikuar autorët e dënuar rëndon vuajtjet e viktimave dhe familjeve të tyre, ndërsa dëmton përpjekjet e vazhdueshme shumëvjeçare për të arritur paqen dhe pajtimin në rajon”, është thënë në deklaratë.

Ankaraja ka theksuar se e ardhmja e Ballkanit duhet të ndërtohet mbi paqen, prosperitetin dhe bashkëjetesën, duke nxjerrë mësimet e nevojshme nga e kaluara.

“Ballkani ka nevojë për ndërtimin e një të ardhmeje paqësore, të begatë dhe të përbashkët, të mbështetur mbi mësimet e nevojshme të nxjerra nga e kaluara”, ka deklaruar zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme.

Ministria e Jashtme turke ka përkujtuar të gjithë civilët dhe personat e pafajshëm që humbën jetën gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, me theks të veçantë te viktimat e gjenocidit të Srebrenicës.

“Ne ndajmë dhimbjen e familjeve të tyre”, është thënë në deklaratë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lamine Yamal ka folur për ambiciet e tij për “Topin…