PISA 2025: TRI FJALË MINISTRISË SË ARRNIMIT

08 shtator 2026 | 21:41

Rrezeart Galica

Lajmi i fundit nga ministria e arsimit është këmbanë alarmi për këdo që rritë e arsimon fëmitë në Kosovë. Rezultatet e PISA 2025 duhet të jenë shumë më tepër se një lajm që na shqetëson jo vetëm për disa ditë. Ato duhet të jenë një alarm serioz për mënyrën se si është ndërtuar dhe si funksionon sistemi ynë arsimor.

Është më se evidente, sa herë publikohen rezultate të dobëta, fillon kërkimi i fajtorit. Fajësohen nxënësit se nuk mësojnë, mësimdhënësit se nuk punojnë mjaftueshëm, prindërit se nuk merren me fëmijët, institucionet se nuk investojnë sa duhet. Pastaj debati shuhet dhe shkolla vazhdon pothuajse njësoj.
Kjo është pikërisht ajo që nuk duhet të ndodhë pas PISA 2025.
Sepse PISA nuk pyet vetëm sa informacion ka memorizuar një 15-vjeçar. Ajo përpiqet të masë nëse nxënësi di ta përdorë atë që ka mësuar: a e kupton një tekst, a di të analizojë informacionin që e merr, a mund të arsyetojë matematikisht dhe a është në gjendje ta aplikojë dijen shkencore në një situatë konkrete?
Dhe pikërisht këtu e hetojmë dhe duhet ta kërkojmë problemin.

SHKOLLA DUHET TË MËSOJË TË MENDOSH, JO VETËM TË MBAHET MEND

Ende kemi një sistem ku suksesi i nxënësit shpesh matet me atë se sa mirë e riprodhon atë që gjendet në libër:

Mëso kapitullin.
Përgjigju pyetjeve.
Merr notën.
Kalo në kapitullin tjetër.

Por informacioni sot është kudo, një telefon smart ofron brenda sekondash më shumë informacion sesa mund të përmbajë një tekst shkollor.
Prandaj pyetja themelore nuk është më: “Sa është i informuar nxënësi?”
Pyetja është: “Çfarë di të bëjë apo si e përdorë informacionin?”
Kjo duhet ta ndryshojë rrënjësisht shkollën.

MË PAK MATERIALE, MË SHUMË KUPTIM

Reforma e parë duhet të jetë reduktimi i ngarkesës së panevojshme të programeve mësimore.
Nuk kemi nevojë që nxënësi të kalojë sa më shumë kapituj. Kemi nevojë që t’i kuptojë mirë ato që mëson.
Sidomos kurrikula mes klasës 5 dhe 6 duhet të ndërroj rrënjësisht sepse nxënësi pëson një ndryshim bukur të madh të kalimit nga mësuesi/sja te dhjetëra arsimtarë e lëndë që më herët nuk ka pasur njohurit. Andaj domosdoshmërit duhet t’i lehtësohet ky kalim që në mënyrë graduale të harmonizohet kurrikula e re mësimore.
Dhe tjetra një orë mësimore ku nxënësi diskuton, analizon, eksperimenton dhe kërkon zgjidhje mund të ketë shumë më tepër vlerë sesa disa orë gjatë të cilave vetëm kopjon dhe riprodhon informacion.
Programet duhet të ndërtohen rreth kompetencave, jo rreth sasisë së faqeve që duhet përfunduar deri në qershor.

DUHET TË NDRYSHOJË ROLI I MËSIMDHËNËSIT

Reforma nuk mund të bëhet kundër mësimdhënësit. Përkundrazi, duhet të bëhet përmes tij.
Por edhe roli i mësimdhënësit duhet të evoluojë.
Në klasën moderne, mësuesi nuk është vetëm personi që e di përgjigjen dhe ua transmeton atë nxënësve. Ai duhet të jetë personi që di të krijojë pyetjen e duhur, të nxisë debat, kërkim, eksperimentim dhe mendim kritik.
Prandaj trajnimet e mësimdhënësve duhet të largohen nga seminaret formale që përfundojnë me një certifikatë.
Mësimdhënësve u duhet mentorim praktik, demonstrim i metodave moderne në klasë, materiale cilësore dhe mbështetje e vazhdueshme profesionale.

LEXIMI DUHET TË SHPALLËT PRIORITET KOMBËTAR

Nëse një fëmijë nuk e kupton mirë atë që lexon, ai nuk do të ketë problem vetëm në gjuhë.
Do të ketë problem në matematikë, biologji, histori, fizikë dhe pothuajse në çdo fushë tjetër.
Prandaj kultura e leximit duhet të ndërtohet që nga klasat e para.
Biblioteka e shkollës nuk duhet të jetë një dhomë me libra të mbyllur në rafte. Duhet të jetë një nga hapësirat më aktive të shkollës.
Duhet të krijojmë gjenerata që lexojnë, kuptojnë, interpretojnë, diskutojnë dhe kundërshtojnë me argument.

MATEMATIKA DUHET TË DALË NGA FLETOREJA

Edhe matematika duhet të lidhet shumë më tepër me jetën reale.
Nxënësi duhet të dijë të analizojë një faturë, një kredi, një përqindje, një grafik, një statistikë apo një ofertë financiare.
Problemi nuk është vetëm nëse e di formulën.
Problemi është nëse e kupton kur dhe pse duhet ta përdorë atë.
E njëjta gjë vlen për shkencat. Laboratori, eksperimenti dhe kërkimi duhet të jenë pjesë normale e shkollës dhe jo luks i disa institucioneve.

DUHET TË NDRYSHOJË EDHE NOTA

Nuk mund të kërkojmë mendim kritik ndërsa vazhdojmë ta shpërblejmë memorizimin.
Nëse për të marrë notën 5 mjafton ta riprodhosh mësimin pothuajse fjalë për fjalë, atëherë sistemi vetë po i tregon nxënësit se çfarë duhet të bëjë.
Edhe vlerësimi duhet të ndryshojë.
Më shumë probleme reale.
Më shumë projekte.
Më shumë argumentim.
Më shumë prezantim.
Më shumë punë kërkimore.
Dhe më pak pyetje që harrohen disa ditë pas testit.

AI PO E BËN REFORMËN EDHE MË URGJENTE

Sot ekziston edhe një sfidë që gjeneratat e mëparshme nuk e kishin: inteligjenca artificiale.
Një nxënës mund të gjenerojë brenda sekondash një ese, një përmbledhje apo zgjidhjen e një problemi.
Nëse shkolla vazhdon t’i japë detyra që një chatbot mund t’i kryejë për dhjetë sekonda, atëherë nuk është nxënësi problemi. Problemi është detyra.
Shkolla duhet t’i mësojë të rinjtë si ta përdorin AI-n, por edhe si ta sfidojnë atë, si ta verifikojnë informacionin dhe si të dallojnë kur teknologjia gabon.
Në epokën e inteligjencës artificiale, aftësia për të menduar në mënyrë të pavarur bëhet edhe më e rëndësishme.

REFORMA DUHET TË FILLOJË PARA MOSHËS 15-VJEÇARE

PISA mat nxënësit rreth moshës 15-vjeçare, por problemet që zbulon nuk kanë filluar në atë moshë.
Nëse një fëmijë arrin në klasën e nëntë pa aftësinë për të kuptuar një tekst relativisht kompleks ose pa bazat e arsyetimit matematikor, sistemi ka humbur vite të tëra gjatë të cilave ka mundur të ndërhyjë.
Prandaj na duhet vlerësim diagnostik shumë më herët.
Jo për t’i renditur apo turpëruar fëmijët, por për të zbuluar se kush ka nevojë për ndihmë dhe në çfarë fushe.
Asnjë nxënës nuk duhet të kalojë nga një klasë në tjetrën duke bartur me vete boshllëqe gjithnjë e më të mëdha në njohuritë bazë.

MOS E REFORMONI PISA-N. REFORMONI SHKOLLËN.

Gabimi më i madh që mund të bëjmë tani është t’i përgatisim nxënësit për testin e ardhshëm PISA.
Qëllimi nuk duhet të jetë t’u mësojmë fëmijëve si të përgjigjen më mirë në PISA.
Qëllimi duhet të jetë të ndërtojmë një shkollë aq të mirë sa rezultatet e PISA-s të përmirësohen si pasojë e saj.
Kosovës nuk i duhet edhe një strategji që përfundon në një dokument të bukur PDF.
I duhet ndryshim që shihet të hënën në mëngjes, kur nxënësi hyn në klasë.

Në mënyrën si zhvillohet ora.
Në pyetjet që i bëhen.
Në librat që lexon.
Në laboratorin që përdor.
Në mënyrën si vlerësohet.
Në mënyrën si trajnohet mësimdhënësi.
Dhe në pritjet që shteti ka prej shkollës.

Në fund, PISA nuk duhet parë si një garë për ta kaluar një shtet tjetër në renditje.
Pyetja shumë më serioze është:
A po dalin fëmijët tanë nga shkolla të aftë të kuptojnë botën, të mendojnë në mënyrë kritike dhe të zgjidhin problemet që ajo ua vendos përpara?
Nëse përgjigjja vazhdon të jetë jo, atëherë problemi nuk është PISA.

KREJT NË FUND

Ministria e Arsimit bartë barrën më të madhe të këtij dështimi, sepse duke i keqshfrytëzuar afro 1 miliard euro nga buxheti për këto 6 vite, në vend se të sillte rezultate befasuese na kumtoi lajme zhgënjyese. Hetimi i keqpërdorimit të tërë këtij buxheti që Ministria iu dha organizatave e personave për zhvillim të arsimit do të ishte shtegu më i mirë i një fillimi të ri dhe i parikthyeshëm në këtë pikë ku jemi nga vlerësimi i PISA.
Problemi është që edhe pas këtij investimi në arsim shkollat ende nuk i kemi reformuar.

(Autori është pedagog universitar dhe ekspert për arsimin e lartë)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka thënë…