11 Shtatori 2001 – një ditë që nuk do të harrohet kurrë
Sot kujtojmë me dhimbje dhe respekt një nga ditët më të tmerrshme në historinë e popullit amerikan – 11 Shtatorin e vitit 2001, ditën kur Amerika u godit nga një sulm terrorist dhe mijëra njerëz të pafajshëm humbën jetën. Në atë tragjedi u vranë 2,977 njerëz dhe u plagosën mijëra të tjerë.
Por për ne shqiptarët e Kosovës, kjo ditë ka edhe një kujtim të veçantë. Amerika ishte dhe mbetet një nga miqtë më të mëdhenj të popullit shqiptar dhe një nga vendet që qëndroi pranë nesh në ditët më të vështira të luftës për lirinë e Kosovës.
Në atë kohë, unë isha Oficer në TMK, dhe e kujtoj me krenari se pothuajse të gjithë pjesëtarët e TMK-së u solidarizuan me popullin amerikan, duke dhuruar gjak vullnetarisht, si shenjë humaniteti, miqësie dhe mirënjohjeje.
Ishte mënyra jonë për t’u thënë miqve tanë amerikanë: “Nuk jeni vetëm.”
Populli amerikan na qëndroi pranë kur Kosova kishte më së shumti nevojë për ndihmë. Për këtë arsye, sa të jem gjallë do të jem mirënjohës, respektues dhe përkrahës i popullit amerikan dhe i miqësisë së përjetshme shqiptaro-amerikane.
Sot, në këtë ditë kujtimi, përkulemi me respekt para viktimave të 11 Shtatorit, familjeve të tyre dhe të gjithë atyre që sakrifikuan jetën duke shpëtuar të tjerët.
Zoti i bekoftë viktimat e 11 Shtatorit.
Zoti e bekoftë popullin amerikan.
Zoti e bekoftë miqësinë shqiptaro-amerikane. 🇽🇰🇺🇸
Me respekt,
Major Arton Hoti
Ambasador i Paqes



