Kurti: Emrat për nënkryetarët duhet të sqarohen në takime të përbashkëta
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje do ta votojë një deputet të Partisë Demokratike të Kosovës për nënkryetar të Kuvendit, ndërsa ka kërkuar që emrat e kandidatëve të sqarohen në takimet ndërmjet partive.
Kurti ka thënë se deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, vitin e kaluar kishte kërkuar tërheqjen e Albulena Haxhiut, ndërsa sivjet kishte kërkuar tërheqjen e Feride Rushitit.
Ai ka përmendur edhe bojkotimin e votimit për Albulena Haxhiun si kryetare të Kuvendit dhe paralajmërimin e Çitakut për bojkotimin e zgjedhjes së presidentit.
“Po e përsëris atë çfarë tashmë e ka thënë shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, e kjo është që ne medoemos një deputet të PDK-së do ta votojmë për nënkryetar të Kuvendit. Ne medoemos një deputet ose deputete të LDK-së do ta votojmë për nënkryetar të Kuvendit”, ka deklaruar Kurti.
Ai është shprehur se, bazuar në një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese të vitit të kaluar, nuk është e domosdoshme që për këto pozita të votohet ekskluzivisht një emër i caktuar.
“Në këtë kuptim, uroj që, ashtu siç kemi qenë ne konstruktivë vitin e kaluar, të jenë edhe të tjerët, por më së miri do të ishte që këto të sqaroheshin në takimet e përbashkëta”, ka thënë Kurti.
Kurti ka bërë të ditur se një takim me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamzën, do të mundësonte sqarimin e emrave të deputetëve të kësaj partie që mund të mbështeteshin nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Pra, në një takim timin me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamzën, do ta sqaronim se cilët deputetë të PDK-së do të mund të votoheshin nga Lëvizja Vetëvendosje dhe, në këtë mënyrë, ta ketë PDK-ja nënkryetarin e Kuvendit”, ka deklaruar Kurti.



