PDK’ja i drejtohet me letër Haxhiut, tërheq kandidaturën e Çitakut për nënkryetare
Partia Demokratike e Kosovës ka tërhequr përkohësisht kandidaturën e Vlora Çitakut për pozitën e nënkryetares së Kuvendit të Kosovës.
Vendimi është bërë i ditur përmes një shkrese që kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ia ka dërguar kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, shkruan Insjaderi.
PDK thotë se tërheqja e kandidaturës vjen në rrethanat e bllokimit të procesit të konstituimit të Kuvendit dhe pas skadimit të afateve kushtetuese.
Në shkresë, PDK i referohet nenit 66 të Kushtetutës dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin KO 124/25, duke pretenduar se konstituimi i Kuvendit duhej të përfundonte brenda afatit të përcaktuar.
Sipas Tahirit, deputetët e PDK-së morën pjesë në seancat e 9 dhe 11 shtatorit, me qëllim që të kontribuonin në përfundimin e procesit, edhe pse, sipas tij, afati kushtetues tashmë kishte
“Megjithatë, kjo gatishmëri nuk u shfrytëzua”, thuhet në shkresën e PDK-së.
Partia pretendon se gjatë procesit janë krijuar pengesa të reja dhe se çështjet procedurale e politike janë përdorur për ta shtyrë më tej konstituimin e Kuvendit.
Në këto rrethana, PDK ka bërë të ditur se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për vlerësimin e situatës së krijuar.
Deri në një vendim të Kushtetueses, PDK ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në vazhdimin e procesit të konstituimit dhe se e pezullon kandidaturën e Çitakut.
Megjithatë, PDK ka sqaruar se kjo nuk nënkupton heqje dorë nga pozita e nënkryetarit të Kuvendit, për të cilën pretendon se i takon kësaj partie.
“Tërheqja e kandidaturës së tanishme nuk nënkupton se Partia Demokratike e Kosovës heq dorë nga pozita e nënkryetarit të Kuvendit që i takon, dhe as se refuzon të propozojë kandidatin e saj për këtë pozitë”, thuhet në shkresë.
PDK ka paralajmëruar se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese do të rikthehet në Kuvend dhe do të veprojë në përputhje me vendimin e saj.



