Haxhiu: Pozita e nënkryetarit nga PDK-ja mbetet e rezervuar

13 shtator 2026 | 11:43

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se Kuvendi i Republikës së Kosovës është konstituuar, duke i hapur rrugë hapit të radhës, formimit të Qeverisë së re.

Haxhiu ka uruar nënkryetarët e zgjedhur të Kuvendit, ndërsa ka falënderuar deputetët e pranishëm në sallë për ushtrimin e përgjegjësisë së tyre institucionale përmes votës.

Ajo ka theksuar se pozita e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e PDK-së mbetet ende e paplotësuar.

“Për tri herë radhazi, përfaqësuesit e PDK-së nuk ishin të pranishëm në seancën konstituive dhe, rrjedhimisht, nuk e ushtruan të drejtën e tyre kushtetuese për ta propozuar kandidatin”, ka shkruar Haxhiu.

Sipas saj, kjo pozitë i takon PDK-së dhe mbetet e rezervuar për këtë parti.

“Sapo PDK-ja ta propozojë kandidatin e saj, Kuvendi do të votojë për të”, ka deklaruar ajo.

Haxhiu ka bërë thirrje që institucionet të funksionojnë dhe që procesi i funksionalizimit të plotë të tyre të vazhdojë pa vonesa.

“Kosova ka nevojë për përgjegjësi, vendimmarrje dhe punë. Vullneti i qytetarëve duhet të respektohet dhe procesi i funksionalizimit të plotë të institucioneve duhet të vazhdojë pa vonesa të panevojshme”, ka përfunduar ajo.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar pas…