Prishtina 2030: Kryeqyteti miraton lokacionet për projektet strategjike të Lojërave Mesdhetare
Kuvendi i Kryeqytetit ka votuar lokacionet për projektet strategjike që do të realizohen në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se 71 për qind e aktiviteteve të Lojërave Mesdhetare të vitit 2030 do të zhvillohen në Prishtinë.
Sipas Ramës, në kuadër të transformimit të kryeqytetit parashihen projekte të rëndësishme, përfshirë Fshatin Olimpik, Qendrën Multisportive, Vertical Gym, Unazën e Qytetit, rrjetin e parkingjeve nëntokësore, Parkun Botanik dhe projektet në Gollak.
Rama ka falënderuar për mbështetjen përfaqësuesin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, Patrick Gan, përfaqësuesin e KUSA-s, si dhe asambleistët që votuan për këto vendime.
“Tash kemi më pak se katër vjet. Çdo ditë ka rëndësi. Në 2030 organizojmë Lojërat. Për dekada pas tyre, Prishtina jeton me atë që ndërtojmë sot”, ka deklaruar Rama.
Ai ka theksuar se projektet e planifikuara nuk do t’i shërbejnë vetëm organizimit të Lojërave Mesdhetare, por do të kenë ndikim afatgjatë në zhvillimin dhe transformimin urban të Prishtinës.



