Haxhiu për vdekjen e Flora Brovinës: Gruaja që ia kushtoi gjithë jetën njerëzve dhe Kosovës
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas vdekjes së Flora Brovinës, duke e kujtuar atë si një grua që ia kushtoi gjithë jetën njerëzve dhe Kosovës.
Haxhiu ka thënë se Brovina, si mjeke, humaniste dhe veprimtare për të drejtat e njeriut, ishte pranë fëmijëve dhe familjeve në vitet më të vështira për Kosovën.
Ajo ka theksuar se Brovina organizoi, ndihmoi, protestoi dhe ngriti zërin kundër dhunës dhe represionit, duke e kthyer angazhimin publik në një formë të përditshme të qëndresës.
“Edhe kur kjo e vuri drejtpërdrejt përballë regjimit serb, nuk u tërhoq”, ka shkruar Haxhiu në “Facebook”.
Haxhiu ka përmendur edhe arrestimin e Brovinës në pranverën e vitit 1999 dhe dërgimin e saj në burgjet e Serbisë, ku ishte dënuar me 12 vjet burgim.
Sipas saj, edhe gjatë burgimit Brovina nuk hoqi dorë nga bindjet e saj, ndërsa për lirimin e saj u angazhuan organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, shkrimtarë dhe institucione nga vende të ndryshme të botës.
Haxhiu e ka përshkruar Brovinën edhe si një zë të veçantë të letërsisë shqipe, duke vlerësuar se në poezinë e saj gruaja, fëmija, dhimbja, humbja dhe liria morën formën e përvojave të jetuara.
Pas luftës, Brovina vazhdoi angazhimin në jetën institucionale të Kosovës. Për vite me radhë ishte deputete e Kuvendit të Kosovës dhe nënshkruese e Deklaratës së Pavarësisë.
Në fund, Haxhiu u ka shprehur ngushëllime familjeve Brovina dhe Begu, miqve, bashkëpunëtorëve dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e çmuan.
“I përjetshëm qoftë kujtimi për Flora Brovinën”, ka shkruar Haxhiu.



