“Prishtina 2026” promovon produktet vendore dhe hap mundësi të reja për bizneset

17 shtator 2026 | 15:02

Panairi i Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2026” po shërben si një hapësirë e rëndësishme për promovimin e produkteve vendore, krijimin e partneriteteve të reja dhe zgjerimin e mundësive për bizneset kosovare në tregjet ndërkombëtare.

Në këtë panair po prezantohen produkte dhe shërbime nga Kosova, Shqipëria dhe vende të tjera mike, ndërsa pjesëmarrësit e shohin atë edhe si mundësi për krijimin e bashkëpunimeve të reja biznesore.

Në hapjen e panairit mori pjesë edhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila.

Ajo tha se “Prishtina 2026”, përveç promovimit të produkteve dhe shërbimeve, krijon mundësi për partneritete të reja dhe plasimin e produkteve vendore në tregje të reja.

“Këtu sot, krahas prezantimit të produkteve dhe shërbimeve, krijohen edhe mundësi për të gjetur partneritete të reja, për të plasuar produkte dhe për të treguar vlerën e prodhimit të Republikës së Kosovës. Nga Ministria që drejtoj, gjatë këtij viti, në vitin 2026, kemi ndihmuar mbi 74 kompani vendore për pjesëmarrje në nëntë panaire ndërkombëtare, ndërsa në to janë promovuar mbi 1 mijë e 200 produkte ‘Made in Kosova’. Ministria gjithashtu po mbështet organizimin e panaireve dhe do të vazhdojë të mbështesë e të bashkëpunojë edhe me odat dhe të gjitha organizatat relevante të biznesit në Kosovë. Për të krijuar më shumë mundësi për bizneset tona, po punojmë gjithashtu edhe me ambasadat e vendeve mike këtu në Kosovë. Gjatë këtij viti kemi pasur forume në Itali, Holandë, Austri dhe Gjermani, ndërsa në muajt në vijim, deri në fund të vitit, presim në Kosovë përfaqësues të bizneseve nga Polonia, Turqia, Gjermania dhe vende të tjera, me të cilat jemi në diskutim për të organizuar dhe finalizuar këto aktivitete”, tha Kusari-Lila.

Ministrja foli edhe për mundësitë e reja për eksport që, sipas saj, krijohen për bizneset kosovare përmes marrëveshjeve ndërkombëtare.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, tha se “Prishtina 2026” u jep mundësi bizneseve që të prezantojnë prodhimet e tyre dhe të krijojnë lidhje të reja me partnerë nga tregu vendor dhe ndërkombëtar. “Do të kemi mundësinë t’i shohim produktet dhe prodhimet e Kosovës. Na mundëson të shohim se pas çdo produkti ka një investim të madh dhe një dëshirë për të arritur më shumë. Duke pasur parasysh se ekonomia jonë si qëllim primar ka integrimin e shtetit në BE, pikërisht për këtë shërben edhe panairi: që të gjejnë partnerë, prodhues-konsumatorë, biznes për biznes, por edhe tregu kosovar me tregun evropian, pse jo edhe më larg.
Sot do të kemi mundësi t’i shohim të gjitha prodhimet tona, kemi mundësi të shohim se çfarë kemi në plan të zhvillojmë tutje, sepse ekonomia jonë po rritet dhe një shtet i fortë është vetëm kur e ka një ekonomi të fortë”, tha Rafuna.

Në “Prishtina 2026” po marrin pjesë edhe biznese nga Shqipëria.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, tha se bashkëpunimi ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë duhet të shkojë përtej shkëmbimit të mallrave.

Ndërkaq, drejtoresha e Drejtorisë për Bujqësi në Komunën e Prishtinës, Jeta Rafuna, tha se panairi paraqet një mundësi të rëndësishme edhe për promovimin e prodhimeve bujqësore vendore.

Panairi “Prishtina 2026” do të jetë i hapur për vizitorët për tri ditë radhazi, nga ora 09:00 deri në orën 17:00.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, ka zhvilluar…