Hill me vlerësime të larta për Thaçin: Nuk e besoj se ai është përfshirë në krime
Ish-i dërguari i SHBA-së për Kosovën, Christopher Hill, ka dalë me një qëndrim të qartë pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, duke e thënë qartë se ai nuk beson se Hashim Thaçi është përfshirë në krime apo vepra të paligjshme.
Në një intervistë për Klan News, Hill ka vlerësuar lart figurën e Thaçit, duke e përshkruar si një komandant të zotë dhe tepër të pjekur për moshën që kishte.
“Hashim Thaçi ishte një personalitet dhe tepër i pjekur për moshën që kishte. Thaçi e kuptoi se Kosova duhet të ishte në një pozitë më të mirë dhe e kam vlerësuar gjithmonë atë. Unë nuk e besoj se ai është përfshirë në krime. Nuk e kam ndjerë nocionin se Thaçi të jetë përfshirë në vepra të paligjshme”, deklaroi Hill.
Hill ka bërë gjithashtu thirrje që vendimi të mos pritet me mllef, por me shpresë te procedurat e mëtejshme në Hagë.
“Unë do të apeloja që të mos ketë mllef për këtë vendim. Duhet të shohim përpara dhe të kemi shpresë se vendimi i Apelit do të jetë në favor të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, nënvizoi ai.
Ish-krerët e UÇK-së janë dënuar në shkallën e parë të gjykimit në Hagë me gjithsej 81 vite burg.



