PDK-ja publikon memorandumin shpjegues për ndryshimin e ligjit për Dhomat Specializuara
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka publikuar memorandumin shpjegues lidhur me procedimin për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Në memorandumin prej 28 faqesh janë paraqitur katër objektiva kryesore që, sipas PDK-së, synohen përmes ndryshimeve të propozuara në ligj.
Objektivi i parë është përcaktimi i saktë ligjor i kompetencës lëndore, personale, kohore dhe territoriale të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, duke e kufizuar veprimtarinë e tyre ekskluzivisht në pretendimet specifike të Raportit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dokumenti 12462, i datës 7 janar 2011, në zbatim të Nenit 162 të Kushtetutës dhe Aktgjykimit KO26/15 të Gjykatës Kushtetuese.
Objektivi i dytë është, sipas PDK-së, parandalimi i stigmatizimit kolektiv dhe kriminalizimit të UÇK-së si ndërmarrje kriminale, duke marrë parasysh, siç thuhet në memorandum, pasojat e rënda për rendin kushtetues dhe shtetësinë e Republikës së Kosovës.
Si objektiv të tretë, PDK-ja synon që çështjet me rëndësi vitale për identitetin dhe historinë kombëtare të gjykohen brenda territorit sovran nga gjykatat e rregullta të Kosovës, të cilat, sipas partisë, gëzojnë legjitimitet demokratik dhe llogaridhënie para qytetarëve të Kosovës, me mundësi vëzhgimi nga mekanizmat ndërkombëtarë.
Objektivi i katërt lidhet me mënjanimin e ndërhyrjeve gjyqësore të përgjithësuara nga trupa ndërkombëtarë të izoluar, të cilët, sipas PDK-së, përmes kualifikimeve të gjera kriminale rrezikojnë të thellojnë ndasitë e brendshme dhe të dëmtojnë unitetin shoqëror në Kosovë.



