Çlirim Haziri: Gjykata Speciale ka shkelë në gjakun e dëshmorëve
Çlirim Haziri, djali i dëshmorit Xhavit Haziri, ka rrëfyer për dhimbjen e familjes së tij, e cila që nga 17 shtatori i vitit 1998 nuk ka informacion për fatin e babait të tij.
Në emisionin “Kosova Today”, Haziri ka deklaruar se familja vazhdon të presë për zbardhjen e fatit të Xhavit Hazirit, ndërsa ka theksuar se vitet e pritjes kanë lënë gjurmë të thella te familja.
“Prej 17 shtatorit 1998, baba jem Xhaviti nuk është më në mesin tonë. Unë prej vitit 1998 deri më sot, në vitin 2026, unë dhe familja ime nuk dimë kurrgjë për fatin e tij. Normalisht, jemi njerëz që presim, kemi me prit deri në pafundësi”, është shprehur ai.
Haziri ka treguar se tashmë edhe brezi i ri i familjes po rritet me këtë pritje.
“Ka filluar me mu zbardh mjekra, unë i kam dy fëmijë dhe ata po rriten me pritje. Jemi një familje dhe pjesë e një shoqërie që në vazhdimësi i kanë përjetuar padrejtësitë e mëdha”, ka deklaruar Haziri.
Ai ka folur edhe për protestat që ka organizuar në kundërshtim me vendimet e Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Haziri ka treguar se më 15 shtator kishte organizuar një tubim në shesh, me shpresën se dita pasuese do të shënonte një moment të rëndësishëm për UÇK-në.
“Unë e kam organizuar më datën 15 shtator një natë në shesh, me shpresën që mëngjesi i 16 shtatorit ka me qenë një mëngjes i fitores së madhe të UÇK-së, ku bashkërisht kemi pasur mundësi me përcjell krejt në shesh”, ka thënë ai.
Megjithatë, sipas tij, 16 shtatori ishte një ditë e rëndë.
“Fatkeqësisht, 16 shtatori qe një datë ku mendoj që filloi një rrugëtim i ri i Kosovës, qe një dënim i madh për Kosovën, për historinë tonë. Ajo gjykatë, e cila është ndërtuar mbi bazën e historisë, nuk gjykoi mbi bazën e provave e fakteve, por sipas meje gjykoi mbi bazën e diktimeve”, ka deklaruar Haziri.
Ai ka shtuar se vendimi i Gjykatës Speciale e ka prekur drejtpërdrejt për shkak të historisë së familjes së tij.
“Ai mëngjes ishte i rëndë. Mua më bëri të dalë aty gjaku i babait. Mendoj që Gjykata Speciale ka shkelë në gjak të dëshmorëve”, është shprehur Haziri.



