Haradinaj kujton rënien e Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit: Luftuan krah për krah si një trup i vetëm
Haradinaj ka vlerësuar qëndresën e Fehmiut dhe Xhevës dhe ka kujtuar edhe bashkëluftëtarët Fatime Hetemi e Shefqet Zeka.
Ai ka thënë se ky përvjetor rikthen në vëmendje sakrificën e pjesëtarëve të Brigadës 114 dhe amanetin e tyre.
Postimi i plotë:
Qafa e Mullarit, 6 maj 1997.
Aty ku kufiri i dhunshëm thyhej me armë në dorë, rreshti ynë ra në pritë të rreptë të forcave serbe. Në atë përballje ku ra vëllai im, Luani, dhe u plagos rëndë Rafet Rama, pranë nesh e në krye të rreshtit ishin ata, Fehmiu dhe Xheva. Në mes të zjarrit dhe plumbave, vendosmëria e tyre nuk u lëkund për asnjë sekondë. Aty u kalit ajo lidhje lirie e vulosur me gjak, që nuk do të thyhej kurrë.
Sot, pas 28 vjetësh nga rënia e tyre heroike, kujtesa na kthen pikërisht te ky guxim i orëve të para. Fehmiu e Xheva nuk kalkuluan asgjë, ata vazhduan të palëkundur rrugëtimin e UÇK-së deri në frymën e fundit në Gradinë të Drenicës, duke luftuar krah për krah si një trup i vetëm.
Ky përvjetor na obligon përpara amanetit të tyre dhe të krejt Brigadës 114. Kujtojmë me nderim Fehmiun, Xhevën, si dhe bashkëluftëtarët Fatime Hetemi e Shefqet Zeka.



