‘Jo në emrin tim’, zëri i shqiptarëve kundër vendimit të Hagës pritet të jehojë në Bruksel më 10 tetor
Përfaqësuesja e platformës qytetare “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha, ka bërë të ditur se pas marshit të paralajmëruar në Prishtinë më 1 tetor, thirrja kundër vendimit të Hagës do të vazhdojë edhe në Bruksel më 10 tetor.
Hoxha ka deklaruar se qytetarët brenda dhe jashtë Kosovës do të përcjellin, sipas saj, një mesazh të përbashkët.
“Më 1 tetor, ne do të dalim përsëri paqësisht, me një mesazh të përbashkët: ‘JO NË EMRIN TIM’. Më 10 tetor, kjo thirrje do të vazhdojë në Bruksel, së bashku me mërgatën tonë. Kosova brenda dhe Kosova jashtë do të flasin me një zë”, ka thënë Hoxha.
Në të njëjtën kohë, platforma “Liria ka Emër” do të nisë peticionin qytetar “JO NË EMRIN TIM”, i cili, sipas njoftimit, do të dërgohet simbolikisht në Bruksel, Strasburg dhe Hagë, si shprehje e qëndrimit të qytetarëve që zgjedhin t’i bashkohen kësaj nisme.
Hoxha ka bërë të ditur se platforma kërkon nga Qeveria një plan konkret, ndërsa nga institucionet kërkon koordinim dhe nga partitë politike bashkëpunim.
“Qeverisë i kërkojmë plan. Institucioneve u kërkojmë koordinim. Partive politike u kërkojmë bashkëpunim. Mërgatës dhe qytetarëve u bëjmë thirrje për pjesëmarrje qytetare”, ka deklaruar ajo.
Ajo ka theksuar se nisma nuk synon që të gjithë të kenë të njëjtin qëndrim politik, por kërkon që, sipas saj, dallimet politike të mos pengojnë koordinimin për çështjet që konsiderohen me interes shtetëror, kombëtar dhe historik.
“Më 1 tetor në Prishtinë, më 10 tetor në Bruksel, pastaj komunë më komunë, me një mesazh të vetëm, ‘Jo në emrin tim’. Liria e Kosovës bart shumë emra nëpër histori, por ai i artë është Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, ka thënë Hoxha.



