‘Janë të paktën 11 varreza masive’, Kosova synon gërmime të reja në Serbi
Institucionet e Kosovës janë rikthyer për kërkime në fshatin Kozhle, në zonën e Novi Pazarit në Serbi, ku dyshohet për mbetje mortore të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Ky është viti i tretë që lokacioni, ku dyshohet se mund të ketë mbetje mortore në një thellësi prej rreth 15 metrash dhe që është përdorur si deponi mbeturinash, është pjesë e agjendës së kërkimeve.
Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka thënë për Radion Evropa e Lirë se gërmimet do të vazhdojnë, pavarësisht mungesës së informacionit të saktë për lokacionin.
“Do të vazhdojnë gërmimet, pa një informacion të saktë për lokacionin. Kjo i bie që ne, si institucion, si delegacion, sigurisht që nuk mund t’i themi jo asnjë gërmimi në territorin e Serbisë, por megjithatë do të jemi shumë të kujdesshëm në kuptim të menaxhimit të pritshmërive”, është shprehur Gara.
Aktualisht janë identifikuar tri pika për vlerësim në terren, bazuar edhe në pamje satelitore. Gara ka theksuar se pamjet në dispozicion nuk e mbulojnë periudhën më të rëndësishme, atë të prillit dhe majit të vitit 1999.
Sipas tij, pikërisht gjatë asaj periudhe dyshohet se ka ndodhur bartja e kufomave nga lokacionet e masakrave drejt vendeve të ndryshme në territorin e Serbisë.
Identifikimi i viktimave nga varrezat masive në Zubin Potok
Ndërkohë, në Kosovë po vazhdon procesi i identifikimit të mbetjeve mortore të gjetura gjatë verës në tri varreza masive në fshatrat Kalludër e Vogël dhe Jabukë, në komunën veriore të Zubin Potokut.
Pas konfirmimit të tri viktimave të para – Idriz Rrecajt, Adem Beqirit dhe Salih Mëziut – procesi po vazhdon për identifikimin e 20 viktimave të tjera.
Gara ka bërë të ditur se rezultatet për pjesën tjetër të mbetjeve do të varen nga analizat laboratorike dhe mund të kërkojnë më shumë kohë.
Mostrat janë dërguar në fillim të shtatorit në laboratorin e ADN-së të Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur në Hagë, pasi ekspertët mjekoligjorë përfunduan ekzaminimet e nevojshme.
Sipas Garës, pas marrjes së rezultateve të ADN-së, Instituti për Mjekësi Ligjore në Kosovë duhet të përfundojë procedurat e konfirmimit të identitetit dhe dokumentacionin përkatës.
Varrezat masive në Kalludër të Vogël dhe Jabukë u konfirmuan pas një hetimi disamujor nga institucionet e Kosovës, me ndihmën e hetuesve të Policisë së Kosovës për krime lufte dhe dëshmitarëve të mundshëm.
Të paktën 11 varreza masive në territorin e Serbisë
Sipas Garës, rajoni i Rashkës në Serbi mbetet një nga zonat me interes për kërkimet e ardhshme.
Institucionet e Kosovës po kërkojnë nga Serbia të vërë në dispozicion listën me 16 varreza masive, e cila ishte bërë publike në vitin 2001.
Gara ka deklaruar se deri tani janë konfirmuar pesë varreza masive në territorin e Serbisë: Batajnica, Petrovo Sello, Peruçaci, Rudnica dhe Kizhevaku. Në këto lokacione, sipas tij, janë gjetur më shumë se 950 viktima të luftës në Kosovë.
“Në qoftë se këto pesë varre masive janë pjesë e kësaj liste, atëherë i bie që janë të paktën 11 varreza masive në territorin e Serbisë”, ka thënë ai.
Institucionet e Kosovës kërkojnë gjithashtu qasje ose rikthim për gërmime në lokacione të tjera, përfshirë Batajnicën, Peruçacin dhe zonën e Shtavalit.
Gara ka theksuar se mbështetja dhe presioni i partnerëve ndërkombëtarë kanë pasur rol në hapjen e lokacioneve për kërkime në Serbi, përfshirë sigurimin e pamjeve satelitore dhe të dhënave të tjera.
Kërkimet vazhdojnë edhe në Kosovë
Në territorin e Kosovës, aktualisht po zhvillohen gërmime për një person të zhdukur në komunën e Skenderajt.
Gara ka bërë të ditur se në ditët në vijim pritet të nisin kërkimet edhe në varrezat e qytetit në Mitrovicë të Veriut, si dhe në rajonet e Prizrenit, Gjakovës dhe Pejës.
Sipas tij, varrezat e qyteteve të mëdha paraqesin sfida të veçanta, pasi gjatë dhe pas luftës dyshohet se janë përdorur edhe për fshehjen e trupave.
“Çdo gërmim, sigurisht që mund të hasë në eshtra, por jo gjithsesi që ndërlidhen me rastet e viktimave të luftës”, ka sqaruar Gara.



