‘Herët apo vonë, Van Dijk do t’i bashkohet Milanit’
Virgil van Dijk “do të vijë në Milano herët a vonë”, ka këmbëngulur gazetari Carlo Pellegatti, pasi mbrojtësi holandez ka vendosur të qëndrojë te Liverpooli këtë verë.
Mbrojtësi qendror ishte pranë largimit nga “Anfield” disa muaj më parë, pasi kontrata e tij skadonte në fund të këtij sezoni.
Raportohej se ai do të preferonte një transferim te “San Siro” dhe kishte arritur marrëveshje për kushtet personale me Rossonerët, por në fund ka zgjedhur të qëndrojë si kapiten i “Reds” pas një sezoni të vështirë.
Tani, në moshën 35-vjeçare, Van Dijk është ende në radarët e trajnerit Ruben Amorim.
“Herë pas here, njerëzit tallen me mua që them se Van Dijk do të bashkohet me Milanin, por të njëjtën gjë e bënin edhe një janar para se të mbërrinte Zlatan Ibrahimovic”, ka deklaruar eksperti i Milanit, Pellegatti, në kanalin e tij në “YouTube”.
“Unë vazhdoj të them se Gerry Cardinale e bëri të qartë: ‘Ose e marrim tani duke paguar, ose vitin e ardhshëm falas’. Unë thashë se Van Dijk do të vijë te Milani herët a vonë. Do të shohim nëse Cardinale do ta ndryshojë mendjen apo jo, por mund t’ju siguroj se nuk ishte thjesht një emër që e nxora nga hiçi”, ka shtuar ai.
Liverpooli ka paguar 85 milionë euro për ta blerë Van Dijkun nga Southampton në janar të vitit 2018 dhe ai është shndërruar në një ikonë të vërtetë të klubit.
Ai ka regjistruar 380 paraqitje në ndeshje zyrtare për skuadrën, duke shënuar 36 gola si mbrojtës dhe duke kontribuar me 16 asistime.
Kjo i ka mundësuar atij të fitojë dy tituj të Premierligës, një trofe të Ligës së Kampionëve, Superkupën e Evropës, Kupën e Botës për Klube, FA Cup dhe dy EFL Cup.



