Besiana, vajza e Qani Mehmedit: “Çlirimtarët dhe krerët e UÇK-së janë identiteti i lirisë së Kosovës!”
Fjalimi i plotë i mbajtur në Sheshin “Skënderbeu” në Shkup nga Besiana Qani Mehmedi, në mbështetje të luftës së UÇK-së dhe kundër dënimeve ndaj ish-pjesëtarëve dhe drejtuesve të saj nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, të cilat ajo i konsideron të padrejta dhe në kundërshtim me vullnetin e popullit të Kosovës.
Mirëmbrëma nga unë bija e Kërçovës-Uskanës ilire, vendi ku nisën celulat e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Mirëmbrëma ju mbesa e nipa të Gjergj Kastriotit Skenderbeut! Mirëmbrëma nipa e mbesa Isa Boletinit, Azem Bejtës, Shote Galicës, Xhevë e Fehmi Lladrovcit, Zahir Pajazitit!
Mirëmbrëma nipa e mbesa të Adem Jasharit!
Nga ky shesh kujtojmë sonte heronjtë, dëshmorët, invalidët e veteranët e luftës, të burgosurit politik por edhe veprimtarët e shquar Ukshin Hoti, Adem Demaçi, Ibrahim Rugova, Anton Çeta e shumë të tjerë!
Sonte më shumë se kurrë kujtojmë thënien ‘bëje ose vdis’!
Çlirimtarët e bënë Kosovën shtet dhe sollën lirinë e Kosovës duke lidhë besën që do të japin jetën për atdhe dhe të gjithë ne e dimë që sikur te përsëritej historia çlirimtarët sërish do të bënin të njëjtën sakrificë: mbrojtjen nga krimi, gjenocidi, masakrat në truallin tonë stërgjyshor! Askush nuk e do luftën e protestat por neve na e vunë shpesh lakun në fyt dhe sot po ajo Evropë qe historikisht ka bërë padrejtësi në raport me ne shqiptarët, sot agresorin e quan viktimë dhe çlirimtarët grupe kriminale! Ky është absurditeti i shekullit XXI!
Pas datës 16 shtator i vetmi ngushëllim për çdo shqiptar ishte zgjimi i vrullshëm kombëtar në një kohë kur ndoshta dikujt i vinte turp të identifikohej me flamurin kuq e zi, me këngën patriotike e me luftën çlirimtare duke thënë se i takon së kaluarës! Ky shesh nxori forcën rinore të një brezit të ri të jashtëzakonshëm që luftën nuk e kanë përjetuar por marrin mbi supe përgjegjësi për mbrojtjen e së vërtetës që nuk mund të vritet e as të gjykohet!
Kur shohim këtë forcë rinore na kujtohen Protestat e 68-tës, 81-shit, 89-tës e ku ka më krenari se për 12 netë me radhë në krye të këtyre protestave të jetë djali i dëshmorit Xhavit Haziri me emrin Çlirim, në mbrojtje të çlirimtarëve!
Sonte vijmë nga Sheshi Skënderbeu i Shkupit Dardan me jehonën e zërin e mijëra shqiptarëve, me amanetin e Ismet Jasharit e Mujdin Aliut, për tu bërë thirrje te gjithë shqiptarëve pa dallim krahine, feje e partie që të bëhemi bashkë për të kundërshtuar vendimin e padrejtë e politik të Gjykatës speciale dhe për të thënë se nuk mund të dënohet lufta çlirimtare në emër të popullit shqiptar! Nuk mund të dënohen krerët e UÇK- së në emër të popullit të Kosovës andaj fuqishëm themi:
Jo në emrin tim!
Jo në emrin tonë!
Populli jemi ne!
Unë Besiana Mehmedi e Shkodran Tolaj ashtu si i këndojmë atdheut, kemi obligim kombëtar të jemi këtu fizikisht e moralisht pranë jush dhe pranë nënës Hyrë, zonjës Lumnije, Sevdije, Shqipe, Violeta, pranë Endritit, Klestorit, Altinit, Aresit, Bunës dhe gjithë familjarëve të çlirimtarëve! Bashkë do ta kalojmë edhe këtë sfidë! Bashkë do ta paguajmë edhe këtë çmim sepse liria ka emër UÇK!
Unë jam shkolluar në bodrumet e Prishtinës, kam kaluar 12 ditë bombardime në Prishtinë, historinë e luftës së UÇK- së nuk e kam parë në televizion por e kam dëgjuar çdo ditë në shtëpi nga gazetari që ka shkruar për këtë luftë të pastër si loti, nga babai im i ndjerë Qani Mehmedi. Ai më ka mësuar se historia nuk mund të rishkruhet! Ajo u shkrua me shkronja lavdie nga çlirimtarët tanë andaj UÇK mbetet mburoja jonë e përjetshme!
Le ta dijë e gjithë bota se pa drejtësi nuk do të ketë qetësi!
Kosova është gjaku ynë qe nuk falet!
Çlirimtarët dhe krerët e UCK- së janë Identiteti i lirisë se Kosovës!

Nga nipi i Sulejman Vokshit – Shkodran Tolaj le të dëgjohet “Fjalët e qiririt” duke uruar qe rruga jonë e qëndresës të jetë plot dritë deri në ditën kur mu në këtë shesh do te festojmë së bashku kthimin e çlirimtarëve!
Rroftë Ushtria Çlirimtare e Kosovës!
Liri për çlirimtarët!



