Vuçiqi ia dorëzon detyrën Ana Brnabiqit, kryetarja e Kuvendit merr përkohësisht drejtimin e Presidencës së Serbisë
Aleksandër Vuçiq, i cili ka dhënë dorëheqjen nga posti i presidentit të Serbisë të dielën në mbrëmje, sot ia ka dorëzuar detyrat kryetares së Asamblesë Kombëtare, Ana Brnabiq, e cila do të shërbejë si presidente e përkohshme e Republikës deri në zgjedhjen e presidentit të ri.
Dorëzimi është zhvilluar në Presidencën e Serbisë në Andrićev Venac, me nënshkrimin e procesverbalit dhe dorëzimin e dokumentacionit zyrtar, raporteve, të dhënave për dhuratat dhe vulës së Presidentit të Republikës.
Gjatë dorëzimit të detyrës, Vuçiqi i ka treguar Brnabiqit dokumentacionin që mbetet në zyrën e presidentes, duke përfshirë raportet nga Zyra e Urdhrave, dekretet për dekorimet, rastet nga Shërbimi i Faljes, të dhënat për dhuratat, si dhe dokumentacionin nga mandatet e paraardhësve të tij, Boris Tadiq dhe Tomislav Nikoliq.
“Kjo është gjëja më e rëndësishme për ty, kjo është vula jote”, ka thënë Vuçiqi, duke ia dorëzuar Brnabiqit vulën zyrtare.
Më pas, duke iu drejtuar gazetarëve të pranishëm, ai ka lexuar një pjesë të procesverbalit të dorëzimit të detyrës.
“Ky procesverbal shënon dorëzimin e detyrave midis Aleksandar Vuçiqit, presidentit të Republikës, i cili jep dorëheqjen, dhe Ana Brnabiqit, kryetares së Asamblesë Kombëtare, e cila merr detyrën e presidentes së përkohshme të Republikës”, ka deklaruar Vuçiqi.
Siç ka thënë ai, gjatë dorëzimit të detyrës janë dorëzuar edhe një raport financiar, një raport pune, një raport i çështjes, si dhe raporte mbi mosmarrëveshjet gjyqësore dhe procedurat e ekzekutimit.
Brnabiqi e ka falënderuar, pas së cilës Vuçiqi ka bërë shaka për lehtësinë me të cilën ajo e ka pranuar pozicionin e ri.
“Shikoni sa lehtë e pranon pozicionin”, ka thënë Vuçiqi, duke kujtuar më pas se Brnabiqi feston sot ditëlindjen.



