Komuna e Ferizajt miraton deklaratën kundër aktgjykimit të Hagës, LDK-ja lëshon sallën
Kuvendi i Komunës së Ferizajt ka miratuar një deklaratë të përbashkët përmes së cilës ka shprehur mospajtimin me aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Megjithatë, pak para leximit të deklaratës, sallën e kanë lëshuar anëtarët e Kuvendit Komunal nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Përfaqësuesit e LDK-së nuk e kanë votuar deklaratën, ndryshe nga subjektet e tjera politike të përfaqësuara në Kuvend.
Deklaratën e ka lexuar kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Ferizajt, Xhavit Zariqi.
Në deklaratë, Kuvendi Komunal ka shprehur “mospajtimin e tij të thellë” dhe “papranueshmërinë” e aktgjykimit të datës 16 shtator 2026 ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Në deklaratë është thënë se lufta e UÇK-së ka qenë “lufta e popullit shqiptar për liri” dhe se ajo ka qenë “luftë e drejtë, e pastër, çlirimtare”.
Kuvendi i Ferizajt e ka cilësuar aktgjykimin si të papranueshëm dhe ka pretenduar se ai nuk është i mbështetur në të vërtetën faktike dhe historike.
“Për Ferizajn dhe ferizajasit, është i papranueshëm, i padrejtë, i pambështetur në të vërtetën faktike e historike, i paprovuar me fakte e mohues i përpjekjeve tona gjithë popullore për liri – Aktgjykimi i Dhomave të Specializuara i datës 16 Shtator 2026 ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, është thënë në deklaratë.
Kuvendi Komunal ka theksuar se aktgjykimi i shkallës së parë nuk është fundi i procesit dhe ka shprehur pritjen që përmes procedurës së ankimimit, sipas tij, të korrigjohet dhe të rrëzohet vendimi.
“Kjo betejë vazhdon në rrugë institucionale, vazhdon e rritet çdo ditë me zërin e mijëra qytetarëve në sheshet e lirisë, në sheshet e çdo qyteti, në kryeqendrën tonë, veç me një thirrje: Liri për Çlirimtarët!”, është thënë në deklaratë.
Në dokument është shprehur gjithashtu solidaritet me familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, si dhe me familjet e dëshmorëve të kombit, invalidëve dhe veteranëve të UÇK-së, ish të burgosurve politikë dhe qytetarëve që, siç është thënë, e kanë përjetuar këtë proces me dhimbje, dëshpërim dhe shqetësim.
Kuvendi i Komunës u ka bërë thirrje qytetarëve të Ferizajt dhe të Kosovës që, pavarësisht dhimbjes dhe emocioneve, të ruajnë qetësinë, dinjitetin dhe unitetin dhe qëndrimet e tyre t’i shprehin në mënyrë paqësore dhe institucionale.
Duke iu referuar formulimit “Në emër të popullit të Kosovës”, me të cilin është shpallur aktgjykimi, Kuvendi i Ferizajt ka përcjellë mesazhin: “JO NË EMRIN TIM!”



