Guardiola i del në krah Man Cityt pas vendimit të Premierligës

30 shtator 2026 | 16:02

Pep Guardiola ka reaguar pas zhvillimeve të fundit rreth Manchester Cityt, duke i dërguar një mesazh mbështetjeje klubit dhe tifozëve.

Ish-trajneri i “Citizens”, i cili është larguar nga klubi gjatë kësaj vere, ka publikuar një mesazh në profilin e tij zyrtar në Instagram, ku ka theksuar se do të jetë gjithmonë në krah të Manchester Cityt.

“Dua që çdo tifoz i Manchester Cityt në mbarë botën ta dijë se jam këtu, tani më shumë se kurrë. Jam, kam qenë gjithmonë dhe do të jem gjithmonë në krah të skuadrës sime, pronarit tim, presidentit tim, Ferranit, lojtarëve, stafit, Enzos dhe ju, tifozëve tanë unikë. Dua të jem i qartë: do ta kalojmë të gjithë këtë së bashku. Ju dua!”, ka shkruar Guardiola.

Mesazhi i Guardiolës ka ardhur më pak se 24 orë pas vendimit të komisionit të pavarur të Premierligës, ndaj të cilit Manchester City ka paralajmëruar apelim.

“Citizens” kanë reaguar gjithashtu përmes një komunikate zyrtare, duke kundërshtuar vendimin e komisionit.

“Manchester City është i zhgënjyer dhe i befasuar nga qëndrimi i Komisionit të Premierligës, i publikuar sot. Klubi është i pafajshëm ndaj akuzave të ngritura nga Premierliga dhe ekziston një dokumentacion i gjerë provash të pakundërshtueshme që mbështet të gjitha qëndrimet tona në këtë çështje. Prandaj, klubi do të jetë i palëkundur dhe, aty ku është e nevojshme, proaktiv në të gjitha instancat përkatëse rregullatore dhe ligjore. Procesi i Premierligës vazhdon ende, ndërsa disa elemente të rëndësishme nuk janë përfunduar”, është thënë në komunikatë.

Manchester City ka njoftuar se do ta paraqesë ankesën deri më 2 tetor, duke argumentuar se vendimi përmban gabime të dukshme ligjore, parimore dhe faktike.

Klubi ka theksuar gjithashtu se gjatë tetë viteve të procesit i ka respektuar procedurat, duke u bazuar në pritshmërinë që drejtuesit e Premierligës do të vepronin si një rregullator i pavarur, i paanshëm dhe i drejtë.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar…