Behxhet Shala: Kosova do ta ketë presidentin deri më 6 tetor
Analisti politik Behxhet Shala ka deklaruar për “Epoka e Re” se beson që Kosova do ta ketë presidentin e zgjedhur deri më 6 tetor 2026.
Shala ka thënë se besimi i tij mbështetet në disa faktorë, ndërsa ka theksuar se Kosovës i nevojiten institucione stabile për të marrë vendime të rëndësishme.
Sipas tij, zgjedhja e presidentit është e nevojshme edhe në funksion të vendimeve që lidhen me mbrojtjen e vlerave të luftës dhe me miratimin e ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë.
Shala ka përmendur edhe deklaratat e disa deputetëve të PDK-së, të cilët, sipas tij, janë shprehur se në rast të miratimit të ligjit për Dhomat e Specializuara, 22 deputetë do të mund të votojnë për cilindo kandidat për president të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Për të marrë vendime në mbrojtje të vlerave të luftës dhe për të kaluar ligjin për Dhomat e Specializuara të Hagës, është e nevojshme që Kosova të ketë president të zgjedhur”, ka thënë Shala.
Në këtë kontekst, ai ka vlerësuar se deklaratat e deputetëve të PDK-së përbëjnë një element që e forcon bindjen e tij se mund të arrihet zgjedhja e presidentit.
Shala është ndalur edhe te zhvillimet në kampin opozitar. Ai ka thënë se, sipas vlerësimit të tij, deri më tani subjekti më konsistent ka qenë Aleanca, e cila, sipas tij, nuk ka hyrë në negociata me liderin e Vetëvendosjes në të njëjtën mënyrë si PDK-ja dhe LDK-ja.
“Deri më tani, partia më konsistente ka qenë Aleanca, e cila fare nuk ka rënë në kthetrat e bisedimeve me liderin e Vetëvendosjes, sikurse kanë rënë PDK-ja dhe LDK-ja”, ka deklaruar Shala.
Qëndrimet e Shalës vijnë në një kohë kur zgjedhja e presidentit dhe çështjet që lidhen me Dhomat e Specializuara mbeten pjesë e debatit politik në Kosovë. Në një deklarim të mëparshëm, Shala kishte vlerësuar gjithashtu se vetëm Aleanca dhe Ardian Gjini po bëjnë, sipas tij, opozitë “përnjëmend”.



