Vojvoda, Dellova dhe Krasniqi nuk humbën asnjë minutë në katër ndeshje me Kosovën

06 tetor 2026 | 13:43

Kombëtarja e Kosovës i ka kompletuar katër ndeshjet e para të Ligës së Kombeve, duke regjistruar një fitore ndaj Irlandës, dy barazime me Austrinë dhe Izraelin, si dhe një humbje në Vjenë ndaj austriakëve. “Dardanët” kanë zhvilluar paraqitje solide, duke marrë parasysh se i kanë zhvilluar plot katër ndeshje brenda vetëm 14 ditëve.

Faktikisht, për shkak të orarit të ngjeshur, edhe forma e lojtarëve është vërejtur mjaft shumë. Fillimisht, Kosova ka zhvilluar një paraqitje spektakolare ndaj Irlandës, mirëpo në ndeshjen e dytë në Vjenë është parë se lojtarët kishin një rënie të lehtë në formë, për shkak të energjive të shpenzuara për ta fituar sfidën në Prishtinë.

Kësisoj, edhe përzgjedhësi Franco Foda është detyruar të bëjë plot tetë zëvendësime në barazimin pa gola ndaj Izraelit, duke pushuar lojtarët kryesorë të formacionit bazë. Vendimi, faktikisht, ka dalë i duhur, me Kosovën që më pas ka zhvilluar tjetër paraqitje të shkëlqyer, e që fatkeqësisht nuk i ka marrë pikët e plota ndaj Austrisë në “Fadil Vokrri”. Megjithatë, nga të gjithë yjet që kanë pushuar dhe e kanë shikuar ndeshjen nga stoli ose tribuna, tre prej tyre nuk e kanë bërë këtë. Mërgim Vojvoda, Lumbardh Dellova dhe Ilir Krasniqi kanë qenë të padiskutueshëm në formacionin e teknikut gjerman, duke mos e humbur as edhe një minutë në katër ndeshje.

Secili prej tyre ka zhvilluar mbi 360 minuta në përgjithësi, duke lënë të gjithë fuqinë në fushë për ta përfaqësuar sa më mirë Kosovën.

Faktikisht, përpos pjesëmarrjes, secili ka luajtur rol të madh në këto rezultate të arritura, ku “SofaScore” vazhdimisht i ka vlerësuar me notën mbi 7.0, që është mbi mesataren. Pas këtyre katër xhirove, Kosova ndodhet në pozitën e dytë në grupin B3 të Ligës B, tri pikë më pak se Austria, që tani padiskutim është favoriti për t’u promovuar direkt në Ligën A, dhe me pikë të barabarta me Irlandën. Izraeli, ndër të tjera, ka dy pikë.

Kësisoj, Kosova duhet t’i zhvillojë edhe dy përballjet e muajit nëntor, ndaj Izraelit dhe Irlandës, për të mësuar se si do të përfundojë ky grup, me objektiv vendin e dytë, pasi kjo do t’i siguronte një pozitë në vazon e dytë kur të tërhiqet shorti për “Euro 2028”. Përpos pozitës së garantuar në vazon e dytë, Kosova do ta kishte edhe një mundësi për t’u promovuar në Ligën A, mirëpo duhet të përballet me njërën nga vendet e treta që renditen aktualisht. Gjithçka varet nga shorti. Rikujtojmë se Kosova më 14 nëntor përballet me Izraelin, kurse tre ditë më vonë udhëton për në Dublin, ku do të takohet me Irlandën. /Telegrafi

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Ish-deputeti i PDK-së, Nait Hasani, ka folur rreth protestës së…