Zemaj: Vetëvendosje LDK-së i kërkoi president konsensual, dje e pranoi një të PDK-së dhe vetë ekzistencën e Speciales
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka thënë se zgjedhja e ish-ministres së PDK-së, Justina Shiroka-Pulës, presidente dhe votimi i Ligjit për Gjykatën Speciale nga ana e Vetëvendosjes kanë nxjerrë në pah “dy të vërteta politike”.
Zemaj ka thënë se është dëshmuar që për Vetëvendosjen mund të jetë i pranueshëm një president politik që vjen nga PDK-ja, por jo një president politik që vjen nga LDK-ja.
“Vetëm nga LDK-ja kërkohej konsensual?”, ka pyetur Zemaj.
Gjithashtu, ai ka thënë se me votën pro për Ligjin për Specialen mbrëmë, Vetëvendosje në praktikë ka pranuar edhe vetë ekzistencën dhe juridiksionin e Gjykatës Speciale në Hagë.
“Dje, ping-pongu politik LV-PDK mori fund. Votat treguan shumë më tepër se fjalët”, ka shkruar Zemaj në “Facebook”.
Postimi i plotë:
Mirëmëngjesi Kosovë!
Dje, Kuvendi i Kosovës i dha vendit Presidenten e re, pas një procesi të gjatë me debate, pritje, prapaskena, kushtëzime dhe lojëra politike në stilin e ping-pongut.
Por e vërteta, herët a vonë, del në shesh.
Dhe dje u shpalosën qartë dy të vërteta politike.
E para: për LV-në mund të jetë i pranueshëm një president politik që vjen nga PDK-ja, por jo një president politik që vjen nga LDK-ja. Vetëm nga LDK-ja kërkohej konsensual?
E dyta: LV-ja votoi për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, pra, në praktikë, pranoi edhe vetë ekzistencën dhe juridiksionin e Gjykatës Speciale në Hagë.
Këto nuk janë më vetëm debate politike, as ndarje ideologjike, por janë veprime e votime të regjistruara në Kuvend.
Dje, ping-pongu politik LV -PDK mori fund.
Votat treguan shumë më tepër se fjalët.



