Faleminderit protestues që i bëtë politikanët të merren vesh!
Shkruan: Hajdin Abazi
Mbrëmë në minutat e fundit, natën vonë e jo për dritën e diellit sikurse do të duhej, u arrit një marrëveshje nga LV-ja e PDK-ja.
Si rezultat, u zgjodh presidentja e re, zonja Justina Shiroka-Pula, e cila ka një integritet që nuk i nënshtrohet meskinitetit partiak, e si e tillë i ka të gjitha predispozitat të jetë në funksion të shtetit, të shoqërisë, të lirisë.
Efikasiteti i seancës së jashtëzakonshme që ofroi zgjidhjen e problemeve kardinale të vendit, u duartrokit në Kuvend dhe u brohorit jashtë Kuvendit.
Përderisa duartrokitjet brenda Kuvendit ishin thjesht ceremoniale dhe nuk tregon suksesin e politikës; do të ishte sukses sikur të ishte arritur marrëveshja në kushte normale dhe pa e acaruar gjendjen deri te përleshjet midis forcave të rendit dhe protestuesve paqësorë.
Kurse duartrokitjet e protestuesve ishin të sinqerta, shprehnin gëzim dhe kënaqësi, dhe realisht vetëm këta kishin të drejtë të ndjeheshin krenarë, sepse qëndruan stoikisht për një kauzë aq të ndritshme e cila kishte të bënte me fatin e atdheut, të kombit, të shtetit e të lirisë sonë; që ata e ndjenë në ndërgjegjen e tyre dhe gjetën forcën e duhur të qëndronin për kauzën e shtetit.
Protestuesit qëndruan stoikisht me organizimin e çdonatshëm, dhe kur panë se politikanët po donin të vazhdonin me avazin e akuzave dhe kundërakuzave, duke i bërë bisht marrëveshjes, u tensionuan, dolën paksa nga vetja prej papërgjegjësisë së politikanëve që të jenë në krye të detyrës kur kauza ishte për një çështje të madhe si ajo e drejtësisë së luftës sonë çlirimtare dhe e konstituimit të shtetit; e në vend se policia të bashkohej me ta, ajo zbatoi urdhrat politike dhe disa policë ngritën dorë mbi ata që nuk do të duhej – mbi invalidë të luftës dhe veteranë si dhe qytetarëve protestues.
Kjo ishte trishtuese!
Ishte trishtuese si një ëndërr e keqe, kur tre policë shqiptarë goditën një civil shqiptar të shtrirë për tokë, pamje kjo e llahtarshme që ma kujtoi pamjen e Faik Rexhepit nga protesta qytetar e vitit 1990, kur i ulur këmbëkryq si tregues se ishte krejt paqësor, policët serbë iu sulën dhe e goditën pamëshirshëm.
Pastaj tre police të tjerë duke goditur një të ri egërsisht, thua se ishte farë terroristi!
Nuk kam besuar se do të shihja imazhe të tillë në Kosovën e lirë!
E para punë që do të duhej bërë nga kryeministri është që të shkarkojë komandantin që ka dhënë urdhër për një përdorim të tillë dhune.
Sidoqoftë, merita vendimtare për arritjen e marrëveshjes dhe tejkalimin e ngërçit politik rreth presidentit, u takon pikërisht protestuesve dhe figurës emblematike të saj Çlirim Hazirit, djalit të dëshmorit e atdhetarit të madh Xhavit Haziri. Vendosmëria e tyre për të mos u thyer e dorëzuar, i shtyu proceset përpara, ani se vullneti politik mungonte.
Pa këtë presion, nuk do të arrihej marrëveshja.
Përderisa partitë politike nuk arritën të ulin shpatat e konkurrencës absurde e të nisin një diskurse racional (sipas filozofisë politike të J. Habbermas), po vazhduan me diskursin e demonstrimit të forcës (sipas asaj që e ka përshkruar. M. Foucault), të fuqisë së pushtetit e për pushtet, me largpamësi u shqua se roli vendimtar do të ishte protesta qytetare, sepse kauza ishte e madhe dhe e domosdoshme: të konsolidohej shteti për të cilin UCK-ja kishte luftuar që të bëhej, dhe tash lufta jonë çlirimtare kishte nevojë që shteti i dale nga çlirimi t’i gjendje për të vërtetën e saj.
Përndryshe, po të kishte vullnet për marrëveshje të mirëfilltë e me diskurs racional, për njëzet ditët në dispozicion do të duhej të uleshin liderët e të bisedonin hapur, me transparencë e ekspertizë dhe të bënin një marrëveshje të duhur në funksion atatgjatë të shtetit.
Porse dukej më afër skenari i ricikilimit të zgjedhjeve nga absurdi i politikës.
Kur palët nuk merren vesh, del një i tretë, që duhet të ndërmjetësojë.
Dhe kjo palë ishte aty.
Ishte UÇK-ja – invalidë të luftës e veteranë dhe fëmijët e dëshmorëve së bashku me qytetarët
Këta e shtrënguan politikën të bënte kthesën e madhe, që do të duhej ta bënte vetë: ta ndalte riciklimin e zgjedhjeve pa asnjë sens.
Ky është një mësim i madh për politikën, për politikanët e Kosovës, që duhet ta mbajnë mend mirë se, kur të shkëputen nga populli dhe të mendojnë se popullin mund ta manipulojnë si të duan, gjithnjë dalin njerëz të ndërgjegjshëm që e zgjojnë kombin, i dalin në mbrojtje shtetit dhe e detyrojnë politikën të futet në ullukët e interesit madhor të lirisë.
Në vend se të ishin liderët heronjtë politikë në këto momente, heronj u bënë protestuesit, bijtë e dëshmorëve që e morën situatën në dorë me ndërgjegje e sinqeritet, veteranët e invalidët e UÇK dhe qytetarët e thjeshtë por të ndërgjegjshëm se ishte momentumi historik kur duhej politika të merrte përgjegjësinë që i takon jo për dobësimin por për përforcimin e shtetit.
Prandaj, ajo që mund të thuhet është: Faleminderit UÇK!
Faleminderit fëmijë të dëshmorëve, veteranë e invalidë që u treguat në gjendje përsëri të sakrifikoheni vetëm e vetëm që të ndalet loja politike me shtetin!
Faleminderit protestues paqësor që iu bëtë krah forcimit të shtetit që të vihet në funksion të luftës sonë çlirimtare të pastër si shkëlqimi i rrezeve të diellit!
Faleminderit që ju treguat politikanëve se kur ata nuk janë në krye të detyrës, ju, populli, jeni aty dhe nuk i lejoni më të tallen me shtetin e në kurriz të tij.



