Dita e pestë e protestave në Shqipëri: Protestuesit paralajmërojnë mobilizim edhe nga diaspora, Rama premton kompensimin e dëmeve

17 tetor 2026 | 14:13

Shqipëria hyn sot në ditën e pestë të protestave, të cilat kanë përfshirë Tiranën dhe qytete të tjera, mes përplasjeve të dhunshme me policinë dhe dëmtimit të institucioneve shtetërore.

Vëmendja është përqendruar sërish te Ministria e Arsimit në Tiranë, ku protestuesit kanë paralajmëruar grumbullimin e tyre për të vazhduar kundërshtimin ndaj qeverisë.

Në protestën e sotme pritet të marrin pjesë edhe shqiptarë nga diaspora, të cilët janë paralajmëruar t’i bashkohen mobilizimit, raporton Top Channel.

Ndërkohë, Policia e Shtetit ka shtuar masat e sigurisë, duke pozicionuar forca policore dhe autobote pranë Ministrisë së Arsimit.

Gazeta Nacionale po përcjellë protestat me një ekip në Tiranë. Gjatë ditës do të ketë raportime live me video, në të gjitha platformat e Nacionales.

Rama premton dëmshpërblim për bizneset e dëmtuara

Pas katër ditësh protestash të dhunshme në Shqipëri, gjatë të cilave u sulmuan institucione shtetërore dhe u dëmtuan prona, kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar dëmshpërblimin e bizneseve të vogla.

Rama ka prezantuar sot një shërbim të ri në platformën shtetërore E-Albania, të quajtur “Dëmi im”, përmes të cilit bizneset do të mund të deklarojnë dëmet e pësuara.

„Prej ditës së sotme çdo biznes i vogël që është dëmtuar nga vala e dhunës qorre, do të ketë një dritare në E-Albania, ku do të mund të regjistrojë dëmin“

Ky vendim vjen pas protestave të ditëve të fundit në Tiranë, të cilat u përshkallëzuan në përplasje të dhunshme ndërmjet protestuesve dhe policisë.

Gjatë protestave u raportua për sulme ndaj ndërtesave qeveritare, përfshirë Ministrinë e Drejtësisë dhe atë të Brendshme, si dhe për zjarrvënie e dëmtim pronash.

Në një video të publikuar në Facebook, Rama ka shpjeguar procedurat që duhet të ndjekin bizneset për të kërkuar kompensimin e dëmeve.

“Prej ditës së sotme çdo biznes i vogël që është dëmtuar nga vala e dhunës qorre, do të ketë një dritare në E-Albania, ku do të mund të regjistrojë dëmin”, ka deklaruar Rama.

Sipas tij, bizneset duhet të paraqesin të dhënat identifikuese, numrin e NIPT-it, vlerësimin paraprak të dëmit dhe dokumentacionin përkatës, përfshirë fotografitë.

Kryeministri ka njoftuar gjithashtu se dhjetë grupe nga administrata tatimore do të dalin në terren për të verifikuar dëmet e shkaktuara.

Pas përfundimit të verifikimeve, autoritetet do të hartojnë një regjistër të dëmeve, mbi bazën e të cilit është paralajmëruar mbështetja për bizneset e prekura.

Rama i ka cilësuar veprimet e dhunshme gjatë protestave si shkatërrimtare, duke premtuar rikuperimin e dëmeve.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Avni Arifi, ka ngritur shqetësime…