Kurti në Procesin e Berlinit kërkon statusin e kandidatit për Kosovën dhe hapjen e negociatave me BE-në
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat dhe të hapen negociatat për anëtarësim, gjatë fjalimit të tij në seancën plenare të Samitit XIII të Procesit të Berlinit, të mbajtur në Mal të Zi.
Kurti ka theksuar se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, i dorëzuar në dhjetor të vitit 2022, ende është në pritje të një vendimi nga BE-ja.
“Ne kemi bërë atë që na përkiste vetëm neve të bënim. Aplikimi i Kosovës po pret, që nga dhjetori i vitit 2022, për një vendim që i përket ekskluzivisht BE-së. Deri atëherë, mbetemi i vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor pa statusin e vendit kandidat”, ka deklaruar Kurti.
Ai u ka bërë thirrje vendeve të Bashkimit Evropian që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për avancimin e procesit të integrimit evropian të Kosovës.
“Kërkojmë nga ju ta merrni vendimin: të kërkoni opinionin e Komisionit, t’i jepni Kosovës statusin e vendit kandidat dhe të hapni negociatat për anëtarësim”, ka thënë Kurti.
Gjatë fjalimit, kryeministri ka përmendur edhe përparimin e Kosovës në fushën e demokracisë, luftës kundër korrupsionit dhe sundimit të ligjit.
Ai ka theksuar se Kosova i është bashkuar qëndrimeve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë, duke zbatuar sanksionet e BE-së që nga fillimi.
Kurti ka folur edhe për sigurinë në rajon, duke përmendur sulmin terrorist në Banjskë, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, si dhe shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë.
Ai ka thënë se sulmet ndaj një demokracie evropiane duhet të trajtohen si sulme ndaj gjithë Evropës dhe ka theksuar rëndësinë e një përgjigjeje të përbashkët.
“Sulmi ndaj një demokracie evropiane është sulm ndaj gjithë Evropës dhe meriton përgjigje kolektive, sepse reagimi që ndërtohet rast pas rasti nuk është parandalues. Për Kosovën anëtarësimi në NATO sjell edhe parandalimin”, ka deklaruar Kurti.
Në fjalimin e tij, kryeministri ka ngritur edhe çështjen e të drejtave të pakicave në rajon, duke kërkuar vëmendje të veçantë për shqiptarët në Luginën e Preshevës.
Ai ka pretenduar se shqiptarët në këtë rajon, hap pas hapi, po shtyhen jashtë institucioneve dhe jetës publike e qytetare.
Kurti ka theksuar se të drejtat e njeriut dhe dinjiteti njerëzor duhet të jenë ndër vlerat themelore që ndajnë vendet pjesëmarrëse në Procesin e Berlinit.
Në fillim të fjalimit, ai ka përgëzuar Malin e Zi për përparimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe ka vlerësuar rolin e Procesit të Berlinit në forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe afrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me tregun e përbashkët evropian.



