Nesër ndërpritet përkohësisht ngrohja në Prishtinë, “Termokos”-i tregon arsyen
Ndërmarrja Publike “Termokos” ka njoftuar se furnizimi me ngrohje në Prishtinë do të ndërpritet përkohësisht në orët e para të së shtunës, për shkak të ndaljes së kontrolluar të njësisë B2 të TC “Kosova B”.
Sipas njoftimit, kjo ndalesë do ta pamundësojë furnizimin me avull për prodhimin e energjisë ngrohëse.
Gjatë kësaj periudhe, ngrohja do të vazhdojë të ofrohet vetëm për klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), përmes ngrohtores që mbulon nevojat e kësaj qendre.
“Termokos” ka bërë të ditur se ndërprerja do të shfrytëzohet për të adresuar vështirësitë e paraqitura në qarkullimin e ngrohjes gjatë ditëve të para të këtij sezoni ngrohës.
Ndërmarrja ka njoftuar se do të jetë në koordinim të ngushtë me Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) për rikthimin e furnizimit me avull.
“Sapo të krijohen kushtet e nevojshme, do të ndërmerren të gjitha veprimet për rikthimin e furnizimit me ngrohje për të gjithë konsumatorët. NP ‘Termokos’ kërkon mirëkuptimin e konsumatorëve dhe i falënderon për durimin gjatë kësaj ndërprerjeje të përkohshme”, thuhet në njoftim.



