e-Kosova lanson dy shërbime të reja për gjobat në trafik
Platforma e-Kosova, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka lansuar dy shërbime të reja elektronike që synojnë të lehtësojnë qasjen e qytetarëve në informacionet për gjobat në trafik.
Sipas njoftimit, shërbimi i parë është “Raporti i gjobave dhe masave”, përmes të cilit qytetarët mund të qasen në informacionet për gjobat dhe masat e shqiptuara.
Ky shërbim është i qasshëm në platformën elektronike përmes linkut: https://ekosova.rks-gov.net/288.
Shërbimi i dytë ka të bëjë me njoftimin përmes SMS-ve për gjobat e shqiptuara, me ç’rast qytetarët do të informohen për gjobat në trafik përmes mesazheve telefonike.
Sipas platformës, këto shërbime synojnë të rrisin lehtësinë e qasjes në informacione dhe të përmirësojnë komunikimin ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve.
e-Kosova ka theksuar se digjitalizimi i shërbimeve publike po vazhdon me synimin për t’i bërë ato më praktike dhe më të afërta për qytetarët.



