Aleanca do të thërrasë interpelancë për gjendjen e energjisë në Kosovë
Kreu i Aleancës, Ardian Gjini, ka bërë të ditur se partia e tij do të thërrasë interpelancë për gjendjen në sektorin e energjisë elektrike në Kosovë.
“Aleanca do ta thërrasë së shpejti një interpelancë për gjendjen energjetike, duke ftuar edhe Prokurorinë dhe institucionet e tjera që ta trajtojnë seriozisht këtë çështje, pasi Kosova po varfërohet dhe po mbetet prapa vendeve të tjera, ndërsa jeta e qytetarëve nuk po përmirësohet”, tha ai.
Në një konferencë për media, Gjini kritikoi edhe shpenzimet për importin e energjisë elektrike, duke thënë se vetëm gjatë muajit shtator ato kanë arritur në rreth 27 milionë euro.
“Çdo cent që paguhet për energji elektrike del prej xhepave të qytetarëve të Kosovës, qoftë përmes faturave apo përmes pagesave të buxhetit të Kosovës, sepse çdo cent i buxhetit vjen prej qytetarëve dhe taksave që ua merr shteti”, deklaroi mes tjerash Gjini.



