GLPS: Kosova zbatoi vetëm 18 nga 62 reformat e BE-së, rrezikon humbjen e mbi 40 milionë eurove

26 tetor 2026 | 11:04

Kosova ka zbatuar vetëm 18 nga 62 reformat e parapara në Agjendën e Reformave, në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, ndërsa bllokadat politike kanë ndikuar në ngecjen e procesit dhe kanë rritur rrezikun e humbjes së mbi 40 milionë eurove, sipas vlerësimeve të Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS).

Në tryezën e rrumbullakët me temën “Rruga e Kosovës drejt BE-së pas ngërçit politik: Shndërrimi i momentit të favorshëm në reforma”, është prezantuar përditësimi i Agjendës së Reformave të Kosovës për semestrin e tretë. Gjatë diskutimit është theksuar shkalla e ulët e zbatimit të reformave dhe koha e kufizuar për përmbushjen e masave të mbetura.

Drejtoresha ekzekutive e GLPS-së, Njomza Arifi, ka thënë se bllokadat politike, të cilat kanë zgjatur për më shumë se dy vjet, i kanë kushtuar Kosovës jo vetëm kohë, por kanë ndikuar edhe në performancën institucionale, sundimin e ligjit, administratën publike dhe zhvillimin ekonomik.

“Bllokadat që janë më shumë se përafërsisht dy vite, kanë bërë që të ketë mungesë performance dhe na kanë kushtuar shumë. Jo vetëm në kohë, por edhe në mungesë performance në sundimin e ligjit, në administratën publike, në zhvillimin ekonomik dhe në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Kjo është pjesa më e madhe e zbatimit të Agjendës së Reformave për Kosovën, por edhe nga një vlerësim i Qeverisë thuhet se, për masat që kanë pasur afat deri në qershor, mund të jenë humbur mbi 40 milionë euro. Natyrisht, për këtë duhet pritur edhe vlerësimi i Bashkimit Evropian. Tani kemi shumë pak kohë deri në fund të dhjetorit për të zbatuar edhe 27 masa të tjera, afati i të cilave përfundon më 31 dhjetor të këtij viti. I gjithë Plani i Rritjes, apo Agjenda e Reformave, përfundon në fund të gushtit të vitit të ardhshëm. Pra, koha nuk është në anën tonë. Nga njëra anë kemi urgjencë për të zbatuar hapa reformues, kurse nga ana tjetër mbetet po aq e rëndësishme që këto reforma të jenë cilësore dhe të mos zbatohen vetëm sa për të qenë pjesë e agjendës”, ka thënë Arifi.

Ajo ka theksuar se Kosova duhet të dëshmojë rezultate konkrete në reforma për të avancuar drejt Bashkimit Evropian. Sipas saj, perspektiva evropiane duhet të shoqërohet edhe me mundësi më të hershme për pjesëmarrje në politikat dhe mekanizmat e BE-së.

“Në këtë kontekst, është shumë e rëndësishme të diskutohet edhe për perspektivën evropiane të Kosovës, veçanërisht tani, kur po diskutohen edhe forma të reja të zgjerimit, përfshirë integrimin gradual. Kosova duhet të përgatitet jo vetëm për një anëtarësim të mundshëm në të ardhmen, por edhe për mundësitë e pjesëmarrjes më të hershme në politikat dhe mekanizmat evropianë. Për këtë na duhen rezultate. Nuk mjafton të jemi vetëm populli më proevropian në Ballkan, as vetëm ambicia deklarative politike, por duhet të ketë edhe reforma të prekshme që zbatohen. Në anën tjetër, natyrisht, BE-ja duhet të ofrojë një perspektivë për Kosovën”, ka thënë ajo.

Autori i raportit dhe hulumtuesi i GLPS-së, Besar Gërgi, gjatë prezantimit të përditësimit të Agjendës së Reformave për semestrin e tretë, ka thënë se, sipas raportimit të Qeverisë, janë përmbushur shtatë nga 13 hapat reformues që kishin afat deri në qershor të vitit 2026.

“Qeveria ka raportuar se janë përmbushur shtatë nga 13 hapat reformues që e kanë pasur afatin përfundimtar në qershor të vitit 2026. Pra, këta kanë qenë hapa të semestrit të dytë, me afat fillestar në qershor të vitit 2025 dhe një periudhë tolerimi prej një viti, deri në qershor të vitit 2026. Këtu flasim për një shkallë zbatimi pak më të lartë se 50 për qind. Ndërkohë, është publikuar edhe raporti i parë zyrtar i Qeverisë, në uebfaqen e Zyrës së Kryeministrit, ku thuhet se nga gjithsej 62 reforma të parapara deri më tani, janë zbatuar 18, që nënkupton një shkallë zbatimi prej rreth 29 për qind. Pra, shkalla e zbatimit nuk është e lartë. Sa i përket aspektit financiar, Kosova mund të përfitojë deri në 883 milionë euro nga Plani i Rritjes, por deri më tani ka përfituar vetëm shumën e parafinancimit prej shtatë për qind”, ka thënë Gërgi.

Ai ka theksuar se vonesat në ratifikimin e marrëveshjeve kanë pamundësuar raportimin zyrtar të Kosovës te Komisioni Evropian deri në dorëzimin e raportit të parë, më 15 korrik. Sipas tij, vlerësimi i Komisionit Evropian do të japë një pasqyrë më të plotë të reformave të zbatuara dhe të atyre që kanë mbetur pa u përmbushur.

“Problemi më i madh ka qenë mosratifikimi i marrëveshjeve, gjë që e pamundësonte raportimin zyrtar të Qeverisë së Kosovës te Komisioni Evropian. Raporti i parë zyrtar është dorëzuar më 15 korrik dhe tani jemi në pritje të vlerësimit të Komisionit Evropian. Vetëm pas publikimit të këtij vlerësimi do të kemi një pasqyrë të saktë dhe të plotë se çfarë është zbatuar dhe çfarë jo. Po ashtu, vlen të theksohet se në qershor u përmbyll afati i katërt nga shtatë semestrat e Agjendës së Reformave. Në fund të vitit do të përmbyllet edhe semestri i pestë, ndërsa i gjithë instrumenti i Planit të Rritjes përfundon në shtator të vitit të ardhshëm”, ka thënë ai.

Gërgi ka vlerësuar se kriza politike ka ndikuar ndjeshëm në zbatimin e Agjendës së Reformave, duke paralajmëruar se Kosovës i mbetet më pak se një vit për të përmbushur objektivat e parapara.

“Sa i përket zbatimit, duhet të kemi parasysh se nuk kemi asnjë vit të plotë përpara nesh. Kemi folur për një shkallë të ulët zbatimi dhe ngecje të shumta, të cilat shpjegohen në masë të madhe nga kriza politike. Nëse i referohemi disa datave, më 11 shkurt u konstituua Kuvendi dhe u formua Qeveria. Vetëm dy ditë më pas u ratifikuan dy marrëveshje, ajo e facilitetit dhe ajo e huamarrjes, ndërsa më 19 mars u emërua koordinatori kombëtar”, ka thënë Gërgi.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva zgjidhet për mandatin…