Politologu Bardhyl Mahmuti kërkon hapjen e procedurës penale për rastin e Arlinda Zekajt
Politologu Bardhyl Mahmuti i ka bërë thirrje publike kryeprokurorit të Shtetit të Kosovës, Zejnulla Gashi, që urgjentisht të urdhërojë hapjen e procedurës penale ndaj përgjegjësve institucionalë në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Në kërkesën e tij publike, Mahmuti ka theksuar se vrasja e Zekajt ka shkaktuar indinjatë të madhe te qytetarët, duke e cilësuar edhe më të rëndë faktin se ajo kishte paralajmëruar autoritetet për rrezikun që i kanosej dhe kishte kërkuar ndihmë urgjente.
Sipas Mahmutit, përfundimi tragjik i rastit dëshmon se kërkesa e saj për ndihmë nuk është marrë parasysh nga institucionet përgjegjëse.
Ai ka vlerësuar se nuk është hera e parë që viktimat nuk marrin përgjigje nga autoritetet, pavarësisht paralajmërimeve për rrezikun me të cilin përballen, duke kërkuar që kjo praktikë të marrë fund.
“Letra e Arlinda Zekajt është provë materiale se autoritetet shtetërore kanë kryer veprën penale të mosdhënies së ndihmës personit, jeta e të cilit është në rrezik”, ka deklaruar Mahmuti.
Ai i ka kërkuar kryeprokurorit të Shtetit që të ndërmarrë veprime urgjente për hetimin e përgjegjësisë institucionale në këtë rast.
Sipas tij, hapja e procedurës penale është minimumi që duhet të bëhet për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë për këtë lloj vepre penale.



