Haxhiu: Kuvendi duhet të votojë pro ose kundër kthimit të Ligjit për Specialen

26 tetor 2026 | 14:58

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se, pas kthimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara nga presidentja, Kuvendi duhet të vendosë përmes votimit nëse do të ketë plotësim-ndryshime të ligjit apo jo.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Haxhiu ka bërë me dije se Komisioni për Legjislacion është ngarkuar për ta trajtuar këtë çështje dhe ka katër javë kohë për të shqyrtuar të gjitha aspektet, para se t’i drejtohet Kuvendit.

Ajo ka thënë se, sipas vlerësimit të saj, bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregulloren e Kuvendit, kthimi i ligjit përbën veto të presidentes. Haxhiu ka paralajmëruar gjithashtu se shkresa e presidentes do të bëhet publike nëse nuk është publikuar tashmë.

“Unë kam pasur përshtypjen që shkresa e presidentes është bërë publike. Nëse jo, atëherë ne do ta marrim përsipër si Kuvend, sepse nuk kemi asgjë për të fshehur. Do ta marrim përsipër si Kuvend që ta bëjmë publike dhe pastaj ta shihni ju si të tillë shkresën e presidentes.

Në bazë të leximit tim, nuk ka ndonjë çështje me theks të veçantë që është identifikuar. Shkresa i referohet deklaratës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, por edhe kërkesës së grupit parlamentar të PDK-së për kthimin e ligjit në leximin e tretë. Megjithatë, atë do ta bëjmë publike, do ta ndajmë me ju dhe, natyrisht, ju do ta vlerësoni pastaj.

Në anën tjetër, kam përmendur se, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, por edhe sipas Rregullores së Kuvendit, kjo është veto e presidentes. Në këtë rast, Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të votojë pro ose kundër. Pra, roli i Kuvendit në këtë pikë është të vendosë nëse do të ketë plotësim-ndryshime të ligjit apo jo”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka bërë të ditur se ka pasur komunikime me grupin parlamentar të PDK-së lidhur me këtë çështje, por ka theksuar se shqyrtimi i saj i takon Komisionit për Legjislacion.

“Ne kemi pasur komunikime edhe me grupin parlamentar të PDK-së, sot në mëngjes dhe gjatë gjithë pikëditës, por, natyrisht, i takon Komisionit për Legjislacion t’i trajtojë të gjitha këto aspekte. Ky është vetëm qëndrimi im, bazuar në atë që kam lexuar në aktgjykimin e Gjykatës, por edhe në Rregulloren e Kuvendit. Unë i kam këtu pjesët përkatëse nga rregullorja, por ju e dini më mirë, sepse besoj se edhe vetë i keni parë.

Sot e kam ngarkuar Komisionin për Legjislacion. Komisioni ka katër javë kohë për ta trajtuar çështjen dhe më pas t’i drejtohet Kuvendit të Republikës së Kosovës. Është e rëndësishme që të vazhdojë puna e grupit punues për strategjinë për apelin. Fokusi duhet të vendoset te ajo”, ka shtuar Haxhiu.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Firma “EUROFAMIS” Sh.A, me numër UNIK IDENTIFIKUES, NUI: 811306431, me…