PD-ja thërret protestë kombëtare të shtunën në mbështetje të studentëve dhe gjimnazistëve

27 tetor 2026 | 13:37

Kreu i Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD), Sali Berisha, ka bërë me dije se të shtunën, më 31 tetor, do të mbahet një tjetër protestë kombëtare në mbështetje të studentëve dhe gjimnazistëve.

Gjatë një konference për media, Berisha ka theksuar se Partia Demokratike do të vazhdojë të mbështesë protestuesit.

“Plotësisht dhe fuqishëm. Partia Demokratike thërret protestë kombëtare në mbështetje të studentëve. Asgjë nuk e ndan më Partinë Demokratike nga këto dy parime: mbështetje e fuqishme, mbrojtje e tyre. Ky është përcaktimi ynë”, ka deklaruar Berisha.

Ndërkohë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka vazhduar edhe të martën thirrjet për dialog me studentët, në kohën kur protestat kundër qeverisë kanë hyrë në ditën e 14-të.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka publikuar pamje të ulëseve të vendosura para Kryeministrisë, duke përsëritur thirrjen për ulje në tryezën e dialogut.

Ftesa e Ramës vjen në një kohë kur protestat kanë kaluar përtej kërkesave që lidhen me arsimin dhe janë shoqëruar me thirrje për dorëheqjen e kryeministrit. Studentët dhe të rinjtë që janë bashkuar në tubime e konsiderojnë largimin e tij si zgjidhjen e vetme, ndërsa deri më tani kanë refuzuar ofertën për dialog në formatin e propozuar nga qeveria.

Gjatë ditëve të fundit, protestat në Tiranë janë shoqëruar edhe me përplasje ndërmjet policisë dhe protestuesve, ndërsa tensionet kanë mbajtur në vëmendje reagimin e institucioneve dhe qëndrimet e palëve për zgjidhjen e situatës.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Profesoresha Xhyldane Murtezi Kiçmari, ish-drejtoreshë e Njësisë së Auditimit të…