Qiti paret, ministre! Ministre, ja përgjigju, ja dorëhiqu!

27 tetor 2026 | 14:04

Një protestë e artistëve, aktorëve, regjisorëve, producentëve, shkrimtarëve, botuesve, të gjithë krijuesve dhe përformuesve të artit dhe të kulturës, edhe e të gjithë dashamirëve të artit, kulturës dhe turizmit para Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, do ta këndellte ministrinë dhe qeverinë. Pse? Ja pse:

Berat Armagedoni, botues

Javën e kaluar një gazetare e kulturës e një gazete ditore të Kosovës, rreth orës 19:00, më kërkoi një prononcim për përkrahjen financiare të revistave për vitin 2026. Iu përgjigja kështu: “Sivjet subvencionimi, në krahasim me vitin e kaluar që ka dhënë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për botim të librave dhe të revistave, është shumë më i vogël nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit (MKT). Mbase për shkak të kësaj ministrie të re është shkurtuar buxheti i saj dhe shkurtimi i saj i parë është bërë në veprimtarinë botuese. Ashtu sikurse unë, besoj edhe botuesit e tjerë janë shumë të pakënaqur me përkrahjen që sivjet MKT ua ka dhënë autorëve, konkretisht botuesve për shtypin e librave të tyre. Në këtë kohë kur inflacioni ka prekur çdo fushë të ndërmarrësisë dhe çmimet e produkteve për shtyp të librave e të revistave janë rritur, sidomos çmimi i letrës, i ngjyrave, i pajisjeve të tjera të shtypit digjital dhe të ofsetit, përkrahja do të duhej të ishte shumë më e madhe e jo të shkurtohej.

Ish-ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku i Vetëvendosjes, e pati vendosur një prag të përkrahjes, rreth 500 000.00 euro në vit për veprimtarinë botuese, autorët dhe për pajisjen e bibliotekave komunale me libra. Madje pati premtuar rritje deri në një milion. E ministrja Bogujevci, edhe kjo nga e njëjta parti, duket se nuk e ka parë të nevojshme të përkrahen autorët dhe botuesit e bibliotekat sikurse në kohën e Çekut. E çeku për përgatitjen dhe shtypin e librave sivjet është më i madh sesa ka qenë vjet. Kjo përkrahje që ka dhënë sivjet MKT, për botim të librave dhe të revistave, është e pamjaftueshme. Është shumë e ulët. Është nën mesataren. Botuesit nuk do të kenë mundësi t’i mbulojnë shpenzimet që do t’u krijohen për ata libra që i ka subvencionuar pjesërisht MKT, së cilës obligohen t’i japin edhe pesëdhjetë libra. Bogujevci, po qe se këtë vit nuk premton se në vitin e ardhshëm nuk do ta trefishojë buxhetin për librat dhe revistat, në vitin e ardhshëm nuk do të aplikoj në asnjë konkurs të ministrisë që ajo udhëheq. Do të duhej t’i bojkotonin edhe botuesit e tjerë konkurset e saj, gjithashtu edhe anëtarët e Këshillit të Librit nuk do të duhej të takoheshin për shqyrtim të kërkesave të botuesve, për arsye se kërkesat e tyre janë të shumta e përkrahja është jashtëzakonisht e vogël. Prandaj, Këshilli i Librit duhet t’ia bëjë të qartë ministres Bogujevci, se kërkesat e botuesve janë të mëdha e përkrahja është shumë e vogël. Këshilli duhet t’i kërkojë buxhet varësisht prej kërkesave të botuesve. Edhe Shoqata e Botuesve e Kosovës do të duhej ta shprehte pakënaqësinë e botuesve. Po ajo nuk shpreh asgjë sepse nuk i përfaqëson botuesit.

‘Armagedoni’ në konkursin e sivjetmë ka aplikuar me 14 dorëshkrime të librave, kurse i janë përkrahur tre tituj, me shuma qesharake, që nuk i mbulojnë as shpenzimet e përgatitjes, se ato për shtyp as që bëhet fjalë. Dhe asnjëherë si në këtë vit MKT nuk ka pasur vonesa për nënshkrim të kontratave me botues dhe të bartjes së mjeteve në llogaritë e tyre. Thjesht, kjo MKT, anëtarët e Këshillit të Librit të saj, as anëtarët e komisioneve për subvencionim të projekteve individuale, nuk kanë një standard të njëjtë të përkrahjes financiare. Këshilli i Librit e ka një rregullore të punës, por në të nuk shkruan: kaq është tarifa e përkrahjes (e shpenzimit) për një faqe, kaq për 100, 200, 300… faqe. Kaq është tarifa për këtë format të librit, kaq për këtë tjetrin. Kaq për librin bardh e zi e kaq për librin kolor. Kaq për atë me lidhje të butë e kaq për atë për lidhje të fortë. Ka ndodhur që një libër prej 200 faqesh Këshilli i Librit e ka përkrahur 800.00 euro e një libër me po këtë vëllim të faqeve anëtarët e komisioneve për subvencionim të projekteve individuale e kanë përkrahur 10 000.00 euro. Krejt këto të meta të MKT-së, sidomos tash pas shkurtimit të buxhetit për botim të librave e të revistave e për blerje të tyre dhe vonesave për publikim të përfituesve, nënshkrim të kontratave dhe transferim të mjeteve, i bien Bogujevcit. Shpresoj shumë se në vitin tjetër, meqë tri herë në paraqitje publike ka thënë se veprimtaria botuese do të jetë prioritet i kësaj ministrie, do ta bëjë prioritet”. Kjo ka qenë përgjigjja ime dhënë gazetares e cila, kushedi për çfarë arsye, ende nuk e ka publikuar artikullin. Ndoshta ka pritur edhe reagimet e botuesve të tjerë nga të cilët nuk ka marrë përgjigje. Ndoshta ka pritur shpalljen e përfituesve të projekteve individuale që MKT i publikoi më 23 tetor që të shkruajë një artikull më të gjatë. Ndoshta ka pritur një përgjigje zyrtare nga MKT që s’e ka marrë ende. Ndoshta ka pritur ditë më të mirë. Nuk e di çfarë po pret edhe më!

Vonesat, përkrahjet e pagesat, për përkrahje të botimit të revistave e të librave, i morët vesh më lart nga përgjigjja që i kam dhënë gazetares për publikun, jo asaj. Më s’do t’i përgjigjem kurrë për asnjë gjë. Për konkursin për blerje të librit nga MKT s’i kam thënë asgjë sepse s’më ka pyetur. Megjithatë, rezultatet e atij konkursi, në të cilin shtëpia botuese “Armagedoni” ka aplikuar me 29 tituj të librave për blerje, me vlerë të përgjithshme 24 871.00 euro, MKT s’i ka publikuar ende. Konkursin e pati shpallur në fillim të vitit, rezultatet ndoshta do t’i shpallë deri në fund të vitit. S’i bëhet vonë se prioritet, edhe pse thoshte ministrja Bogujevci se e ka, nuk e ka veprimtarinë botuese. E nëse s’e ka as librin, as artin, as kulturën, pse duhet të rrijë ende aty?!

Përkrahjes së ulët të saj për shtëpitë botuese s’i ka reaguar askush. As vonesave jo. As Shoqata e Botuesve, as botuesit. Ndërkaq autorët, veprat e të cilëve janë subvencionuar pjesërisht për botim nga ky konkurs, u bëjnë presion botuesve t’i botojnë sa më shpejt dhe ndonjëri prej tyre edhe pret të marrë ndonjë honorar për dorëshkrimin e librit përpos njëqind e pesëdhjetë ekzemplarëve që ua jap, plus pesëdhjetë MKT-së e pesë Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Botuesi, në këtë rast, fiton trashtë e Sulës! Përfiton vetëm ndonjë pakënaqësi nga autori dhe humbet kohë të shprehë ndonjë pakënaqësi private e publike ndaj donatores (MKT-së) e cila, me nder me thënë, se rruan kush çfarë flet e shkruan. Asgjë tjetër. Këtë lloj maltretimi botuesit nuk ia kanë borxh MKT-së. S’i kanë asnjë borxh as artistët, aktorët, regjisorët, producentët, shkrimtarët, krijuesit dhe përformuesit e artit dhe të kulturës, as dashamirët e artit, të kulturës dhe turizmit të cilët, pas publikimit të shpalljes së rezultateve të konkursit në fushën e artit dhe kulturës për vitin 2026, i zhgënjeu shumë. Pakënaqësitë e tyre, kryesisht, u shprehën në rrjete sociale. Mediet nuk panë interes të përfshihen në debatin për artin dhe kulturën. Duke heshtur, e mbrojtën MKT-në. I mbrojtën anëtarët e komisioneve që kanë bërë vlerësime të projekteve të OJQ-ve e të individëve pa pasur asnjë lidhje me artin dhe kulturën. Kërkoni qasje në dokumente publike, në biografitë e anëtarëve të komisioneve vlerësuese, dhe do të vëreni kush ka bërë vlerësim të projekteve. Kërkushat! Kërkushët!

Unë sivjet nuk kam aplikuar në asnjërën thirrje të MKT-së, as në atë për OJQ, as në atë për individë. Megjithatë, hallin e atyre që s’kanë përfituar, edhe të atyre që kanë përfituar sa për sy e faqe, e ndiej dhe e qaj. Ministria e Kulturës dhe Turizmit, pas shpalljes së rezultateve për përfituesit e projekteve individuale, na e rikujtoi se arti i vetëm që po zhvillohet me sukses në këtë vend është arti i të mosmbajturit të fjalës. Ish-ministri Çeku pati premtuar përkrahje të madhe për botuesit dhe skenën e pavarur, tash ministrja Bogujevci i nëpërkëmbë botuesit dhe skenën e pavarur. Komisionet e emëruara prej saj dhe sekretarit të saj i përkrahin, kryesisht, militantët e partisë në pushtet. I përkrahin, kryesisht, ekspozitat, të cilat, edhe pse kushtojnë pak për përgatitje e hapje, marrin buxhet më të madh për shkak se afërsia e përfituesve është më e madhe me pushtetin e me të parët e MKT-së sesa është e të tjerëve. Thjesht, kush kritikon Kurtin, qeverinë e tij, MKT-në dhe ata që e udhëheqin atë, mbetet jashtë listës së përfituesve. Kush nuk flet as mirë as keq, përfiton pak. Kush i lavdëron shumë, merr më shumë. Këtë politikë të servilosjes së përfituesve ndaj pushtetit, ministres e komisioneve të saj, duhet ta heqë MKT nga programi. Anëtarë, për vlerësim të projekteve, duhet t’i bëjë njerëzit që në jetën e tyre kanë realizuar projekte, jo njerëz që s’kanë realizuar kurrë, as që kanë parë e monitoruar ndonjë projekt të mbështetur prej MKT-së. Duhet t’i bëjë ata njerëz që për vite dhe dekada kanë vëzhguar veprimtarinë e OJQ-ve dhe të individëve.

Kur e pati hapur thirrjen për projekte në fushën e artit dhe kulturës para disa muajsh, më qe krijuar përshtypja se ministria e di çfarë i duhet kulturës, çfarë projektesh duhen mbështetur dhe çfarë synimesh duhet të arrihen. Por, kur i shpalli rezultatet pas shumë muajsh vonesë, më lindi dyshimi se konkursi është shkruar nga një dorë, është vlerësuar nga një dorë dhe është përkrahur nga dora e njëjtë duke shkelur kriteret e konkursit që vetë i ka shkruar. Nuk e di ende se nga cila dorë. Po hulumtoj kush tjetër ka qenë mbrapa anëtarëve të komisioneve. Kush u ka rekomanduar atyre cili të përkrahet e cili të hiqet nga lista. E një listë, para kësaj finales, e kam në dorë. Këtë tjetrën, që është bërë publike, e keni të gjithë. Po pres një konfirmim jozyrtar për të zbuluar atë dorë të ndërhyrjes. Atë bir a bijë të kaosit që detin e ka bërë kos dhe ka bërë dëm, sepse i ka njollosur artistët me militantët e partisë!

Së këndejmi, duke i parë shumat e projekteve të përkrahura, vëren se MKT nuk po financon një projekt kulturor, por po jep një ndihmë simbolike për ta ngushëlluar aplikuesin që pati guxim të aplikonte. Me atë shumë krijuesi duhet të jetë njëkohësisht autor, producent, menaxher, promotor, kontabilist dhe, mbi të gjitha, magjistar: të nxjerrë një vepër artistike nga një buxhet që mezi e mbulon koston e një pjese të punës. E kur të vijë fundviti për t’i bërë marketing punës e kur të vijë dita e zgjedhjeve për ta bërë raportin vjetor të përkrahjes, zyrtarët e partisë në pushtet do t’i numërojnë projektet e mbështetura, përfituesit, objektivat dhe do të shpallet përkrahësja më e madhe, sigurisht edhe më e turpshme. Dhe s’do t’i zë ngoje kurrë shkeljet që ka bërë. Tjetër thirrje ka hapur, tjetër përkrahje ka dhënë. Titujt e projekteve të individëve i ka shpallur. Titujt e projekteve të OJQ-ve s’i ka shpallur. Dmth., kjo MKT nuk ka kriter të informimit publik. I fsheh të dhënat e titujve të projekteve të OJQ-ve të cilat, po me atë projekt, mund të kenë përfituar nga institucionet e tjera. Pra, edhe kur informon, e zhgënjen publikun, jo vetëm aplikantët. Transparencë aspak. Ministria duhet ta kuptojë se paratë publike nuk janë lëmoshë për artistët, shkrimtarët, përkthyesit dhe krijuesit. Janë mjete që duhet të ndahen me kritere të qarta, në përputhje me qëllimet e shpallura, me transparencë dhe me përgjegjësi. Një konkurs publik nuk është letërnjoftim për të dëshmuar se institucioni po punon. Është zotim ndaj atyre që investojnë kohën, dijen, mundin dhe shpesh edhe paratë e tyre për ta mbajtur gjallë artin dhe kulturën. Nëse prioritetet ndryshojnë varësisht ministrave, Ministria duhet të shpjegojë paraprakisht. E nëse projektet që janë refuzuar nuk i kanë përmbushur kriteret, duhet t’i japë arsyet, pse-het. E arsye ajo s’u ka dhënë atyre që s’kanë përfituar. E nëse buxhetin e ka të pamjaftueshëm, duhet të tregojë pse kishte vjet e nuk ka sivjet. E nëse shumat e ndara nuk mundësojnë realizimin e projekteve, atëherë mos të na shesë mbështetjen simbolike si politikë kulturore.

Një ministri që shpall një gjë dhe financon një tjetër, nuk po e orienton kulturën, po e çorienton atë. Një ministri që ndan shuma të papërfillshme dhe pret rezultate të mëdha, nuk po investon në krijimtari, po investon në statistika. Një ministri që nuk ua shpjegon krijuesve vendimet dhe kriteret e veta, nuk ndërton besim, por ndërton arsye të reja për mosbesim. Një ministri që anëtarët e jurisë i cakton pa portofol artistik dhe kulturor, nuk duhet t’u bëjë thirrje artistëve dhe njerëzve të kulturës aplikoni për mbështetje. Në fund, MKT, absolutisht Bogujevci, absolutisht Bislimi, s’duhet të bëjnë shaka as me artistë, as me aktorë, as me regjisorë, as me producentë, as me shkrimtarë, as me botues. Duhet t’i shtrijnë këmbët sa e kanë jorganin. Dhe konkursin e ardhshëm, meqë sivjet i grahën kështu, në emër të partisë, le ta shpallin enkas për ata “artistë” dhe “krijues” që thurin elozhe natë e ditë për Kurtin. Në këtë mënyrë aplikantët do ta kenë më lehtë të dinë ku janë, ndërkaq ministrja me sekretarin dhe me komisionet do ta kenë më lehtë të përkrahin më shumë dhe t’i identifikojnë më shpejt përkrahësit, pa pasur nevojë t’i shtyjnë kaq gjatë rezultatet.

Pikëpamjet në këtë artikull janë personale. Nuk përfaqësojnë asnjë redaksi botuese, asnjë institucion. Ndërkaq fotografia është marrë nga llogaria e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit në ‘Facebook’.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Anna Zhubi, shoqe e afërt e Arlinda Zekajt, e cila…