Kosova me tre xhudistë në garën e Grand Slamit në Abu Dabi

28 tetor 2026 | 12:50

Kosova do të përfaqësohet me tre xhudistë në Grand Slamin e Abu Dabit, që nis të enjten. Në këtë garë, e cila ofron shumë pikë për ranglistën botërore, do të marrin pjesë 374 xhudistë nga 59 vende të ndryshme.

Të premten, Akil Gjakova dhe Dardan Cena do të garojnë në kategorinë deri në 73 kilogramë, ndërsa Laura Fazliu në kategorinë deri në 63 kilogramë.

Asnjëri prej dy xhudistëve kosovarë në kategorinë deri në 73 kilogramë nuk është bartës. Akil Gjakova është xhudisti i 17-të më i ranguar në këtë kategori, ndërsa Dardan Cena renditet i 20-ti.

Ndërkohë, Laura Fazliu është bartësja e gjashtë në kategorinë deri në 63 kilogramë.

Grand Slami në Abu Dabi mbahet pak javë pas Kampionatit Botëror, që u zhvillua në Baku të Azerbajxhanit, ku Kosova nuk arriti t’i përmbushte synimet.

Në garat e nivelit Grand Slam, Laura Fazliu ka fituar një medalje të argjendtë dhe dy të bronzta, por ende nuk ka arritur të fitojë medalje në Abu Dabi.

Akil Gjakova ka fituar një medalje të artë, tri të argjendta dhe një të bronztë në garat Grand Slam. Në Abu Dabi, ai ka arritur dy herë në finale.

Ndërkaq, Dardan Cena nuk ka fituar medalje këtë vit dhe deri më tani nuk ka siguruar medalje as në garat Grand Slam.

Medalja e artë në Grand Slam shpërblehet me 1.000 pikë në ranglistën botërore. Në garat Grand Prix, medalja e artë sjell 700 pikë, ndërsa në garat evropiane ofrohen 800 pikë për vendin e parë.

Kosova vazhdon të paraqitet pa xhudisten më të mirë të saj, Distria Krasniqi, e cila ndodhet në fazën e rikuperimit pas një lëndimi.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se partia e…