Hoti: Llogaridhënia nuk është raport, është dorëheqje
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka kritikuar ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe ministren e Drejtësisë, Donika Gërvalla, lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Përmes një postimi në ‘Facebook’, Hoti ka thënë se përgjegjësia për mbrojtjen e grave bie mbi ata që drejtojnë institucionet, duke theksuar se dështimi institucional nuk mund të fshihet pas hallkave të sistemit.
“Gjashtë vjet në pushtet, zoti Sveçla. Gjashtë vjet përgjegjësi për mbrojtjen e grave, zonja Gërvalla”, ka shkruar Hoti.
Ai ka pretenduar se Arlinda Zekaj kishte dhënë sinjale për rrezikun, por ato nuk ishin marrë parasysh nga institucionet.
“Arlinda ju dërgoi sinjalet. Ju i latë të kalonin. Dhjetë minuta pas lënies në shtëpi nga organet e rendit, ajo ishte e vdekur”, ka deklaruar Hoti.
Deputeti i LDK-së ka kërkuar llogaridhënie nga drejtuesit institucionalë, duke theksuar se përgjegjësia nuk mund të kufizohet vetëm në raporte.
“Sot fshihuni pas ‘hallkave’. Por hallkat kanë emër. Kanë ministër. Llogaridhënia nuk është raport. Është dorëheqje”, ka përfunduar Hoti.



