PAPËRGJEGJËSIA E POLITIKËS PATRIMONIALE
Arben HOXHA
Protestat e organizuara nga qytetarët në Prishtinë, përtej thirrjes drejtuar organeve të drejtësisë për vendosjen e drejtësisë në rastin e vrasjes makabre të Arlinda Zekajt, përbëjnë një shprehje të lartë të vetëdijes demokratike të qytetarëve të Kosovës. Ato nuk artikulojnë vetëm kërkesën për drejtësi, por edhe një kërkesë më të thellë politike: ndryshimin e paradigmës së qeverisjes, nga trajtimi i pushtetit publik si pronë private e bartësve të tij, në konceptimin e tij si mandat publik, që duhet të ushtrohet në shërbim të interesave dhe nevojave të qytetarëve.
Seanca e jashtëzakonshme parlamentare për vrasjen e Arlinda Zekajt, e mbajtur më 26 tetor 2026, e nxori në pah pikërisht këtë problem, duke e zhvendosur debatin nga kërkesa për përgjegjësi individuale morale dhe politike të Gërvallës dhe Sveçlës, në rrafshin më të gjerë të nevojës për rikonceptimin e kulturës politike dhe të vetë mënyrës së konceptimit dhe ushtrimit të pushtetit.
Mënyra se si Donika Gërvalla dhe Albulena Haxhiu iu qasën çështjes së përgjegjësisë institucionale nuk ishte thjesht shprehje e një qëndrimi politik. Ajo shpërfaqi konceptimin parimonial që pushteti aktual ka në raport me detyrimin publik dhe llogaridhënien. Sipas këtij konceptimi, pushteti është pronë dhe privilegj i bartësve të tij, ndërsa qytetari një mjet për ruajtjen dhe riprodhimin e pushtetit, e jo burim i legjitimitetit të tij dhe bartës i të drejtave ndaj institucioneve publike.
Është pikërisht kjo ndërgjegje patrimoniale, e normalizuar dhe e natyralizuar në kulturën e ushtrimit të pushtetit, e cila e shpjegon edhe tonin arrogant dhe qëndrimet mbrojtëse të shfaqura në fjalimet e Albulena Haxhiut dhe Donika Gërvallës: në vend që pushteti ta kuptojë veten si subjekt të detyrimit për të dhënë llogari para qytetarëve, ai e percepton kërkesën për llogaridhënie si cenim të autoritetit dhe të imazhit të vet. Kështu, e drejta e pushtetit për të mbrojtur imazhin politik vendoset mbi të drejtën e qytetarit për të kërkuar përgjegjësi institucionale dhe politike.
Përmes gjuhës dhe qëndrimeve të tyre, Haxhiu dhe Gërvalla përcollën, në thelb, mesazhin se mbrojtja e imazhit të pushtetit peshon më shumë sesa detyrimi për t’u përballur me pyetjet e rënda që ngre humbja e jetës së një qytetareje. Kjo është një nga shfaqjet më domethënëse të logjikës patrimoniale: përmbysja e marrëdhënies ndërmjet pushtetit dhe qytetarit, në të cilën, në vend që pushteti t’i nënshtrohet kërkesës së qytetarit për përgjegjësi, qytetarit i kërkohet të respektojë nevojën e pushtetit për vetëmbrojtje.
Pse ndodh kjo? Sepse logjika patrimoniale nuk e njeh jetën e qytetarit si kufirin moral të çdo veprimi institucional dhe si kriter themelor të legjitimitetit të pushtetit. Ajo nuk e koncepton autoritetin publik si përgjegjësi që ushtrohet dhe justifikohet përmes shërbimit ndaj qytetarëve, por si privilegj që u përket bartësve të tij dhe që duhet mbrojtur nga çdo kërkesë për llogaridhënie. Për pasojë, qytetari nuk perceptohet si sovran dhe subjekt i të drejtave, por si palë që duhet të pranojë vendimet, arsyetimet dhe vetëmbrojtjen e pushtetit. Kjo nuk përbën thjesht një përmbysje të rendit të qeverisjes, por një deformim të thellë të vetë moralitetit të rendit demokratik.
Kur, përballë humbjes së jetës së një qytetareje, pushteti e vendos në plan të parë mbrojtjen e imazhit të vet, problemi nuk kufizohet te mungesa e ndjeshmërisë apo te një dështim i përveçëm i komunikimit politik. Ai dëshmon për mungesën e përgjegjësisë morale, politike dhe institucionale, e cila manifestohet në mënyrën se si bartësit e pushtetit e kuptojnë raportin e tyre me qytetarin dhe institucionet publike. Në çastin kur detyrimet ndaj qytetarëve zëvendësohen nga nevoja për të mbrojtur imazhin dhe privilegjet e pushtetit, ky i fundit cenon jo vetëm besimin e qytetarëve, por edhe vetë arsyen e ekzistencës së institucioneve publike.
Protestat e organizuara nga qytetarët në Prishtinë për vendosjen e drejtësisë në rastin e vrasjes makabre të Arlinda Zekajt tejkalojnë kërkesën për drejtësi në një rast konkret. Ato janë, njëkohësisht, protesta për mbrojtjen e kuptimit dhe të qëllimit të ekzistencës së institucioneve publike: për rikthimin e pushtetit në funksionin e tij themelor, atë të shërbimit ndaj qytetarit, mbrojtjes së jetës dhe garantimit të të drejtave të tij.



