Ia mori jetën një personi, pas gjashtë vitesh shqiptari kapet në Greqi
Një 26-vjeçar shqiptar, i identifikuar si Romarjo Tahiri, është arrestuar në Greqi, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasjen me thikë të shtetasit shqiptar, Spartak Dervishi, në Selanik, në vitin 2020.
Sipas hetimeve, Tahiri dyshohet se e ka kryer krimin në bashkëpunim me dy shtetas të tjerë. Arrestimi i tij është realizuar në kuadër të operacionit “The Wanted”.
“Në vitin 2021, Gjykata e Korçës i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë ‘Arrest në burg’, për veprën penale ‘Vrasja me dashje’, kryer në bashkëpunim. Nga hetimet dyshohet se në vitin 2020, në Selanik, shtetasi R. T., në bashkëpunim me dy shtetas të tjerë, kanë vrarë shtetasin shqiptar S. D., të cilin fillimisht e kanë dhunuar dhe më pas e kanë goditur me mjete prerëse”, thuhet në njoftimin e autoriteteve.
Ndërkohë, autoritetet shqiptare kanë nisur procedurat për ekstradimin e tij në Shqipëri.



